Komisioni Evropian ka konfirmuar sot disbursimin e këstit të tretë të fondeve në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke i akorduar Shqipërisë 49 milionë euro, niveli më i lartë i performancës në raport me ecurinë e deritanishme të vendeve të rajonit në zbatimin e Axhendës së Reformave.
Sipas vendimit të publikuar nga European Commission, Shqipëria ka avancuar veçanërisht në reformat që lidhen me klimën e biznesit, inovacionin, financimin e ndërmarrjeve dhe tranzicionin dixhital e të gjelbër.
Me këtë këst të ri, fondet totale të disbursuara për Shqipërinë arrijnë në 212.8 milionë euro. Nga shuma e fundit prej 49 milionë eurosh, 22.8 milionë euro do të kalojnë direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), kryesisht në infrastrukturë, energji të pastër, dixhitalizim dhe kapital njerëzor.
Shifra që Televizioni Shqiptar e publikoi të dielën, sipas ekspertes së integrimit Krisela Haçkaj akordohet pas raportit të dytë të dorëzuar nga Shqipëria për 12 masa reformuese të vlerësuara pozitivisht nga Komisioni Evropian, pesë prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me përmirësimin e klimës së biznesit ndërsa të tjerat për masa në kapitalin njerëzor, transformimin dixhital, tranzicionin energjetik dhe sundimin e ligjit nga Entela Komnino, transmeton rtsh.




