POSTIMET E FUNDIT

PRANË VARRIT TËND MË E DOBËT SE KURRË

Nga Maki Dibra, Prishtinë/Zvicër

Malli për Ty Nuk Ka Fund

Sot janë 10 vite pa ty, Babi…

Dhe e vërteta është kjo: unë nuk jam mësuar me mungesën tënde… vetëm jam mësuar ta fsheh dhimbjen.

23 Marsi nuk është thjesht një datë… është momenti ku koha ndalet dhe unë mbetem aty, mes një jete që vazhdon dhe një dhimbjeje që nuk lëviz kurrë.

Është dita kur gjithçka brenda meje kthehet në atë çast… Jo si kujtim… por si plagë që djeg brenda meje si një vullkan që nuk shuhet kurrë.

Sot unë rri këtu, përballë teje, pranë varrit tënd, më e dobët se kurrë… duke u munduar të mos thyhem plotësisht.

Më fal nëse sot nuk jam aq e fortë sa më mësove… por si mund të jem, kur ti ishe forca ime?

Unë nuk kam mësuar të jetoj pa ty.

Kam mësuar vetëm të dukem e fortë… të qesh kur duhet, të flas kur duhet… por brenda meje ka një boshllëk që nuk mbushet dhe një plagë që nuk shërohet.

MOS U DËSHPËRO ME MUA SOT… SEPSE TI MË MËSOVE TË JEM E FORTË PËRBALLË DHIMBJES,

.Më fal që sot nuk mund ta fsheh mallin dhe dhimbjen, këtu ulur pranë gurit të varrit tënd, ku ndonjëherë më duket se edhe ai qan bashkë me mua sot!

Eeeeh… si pret të jem e fortë, kur ti ishe i vetmi njeri që më kuptove pa më gjykuar kurrë?

I vetmi që më pa për atë që isha… jo për atë që duhej të isha.

Ti nuk ishe vetëm babai im…

ishe krahu im i djathtë, shoku im, kolegu im, streha ime.

Me ty ndaja gjithçka, jetën, punën, lodhjen, ëndrrat. Dhe sot… çdo gjë është e mangët pa ty.

Ah babushi im… nuk e di sa e lodhur jam pa ty, në këtë botë me njerëz me shumë fytyra.

Sa shumë kam nevojë për një përqafim nga ty… për një moment paqeje në krahët e tu.

Nëse ekziston një vend ku shpirtrat takohen sërish… atëherë UNË JETOJ ME SHPRESËN E ATIJ PËRQAFIMI!

Më mungon, Babi… por jo si mungojnë njerëzit zakonisht.

Më mungon si ajri. Si drita. Si diçka pa të cilën nuk mësohesh kurrë të jetosh.

Që kur ike, bota ka humbur diçka nga drita e saj. Ngjyrat nuk janë më si më parë, gëzimet nuk janë të plota… dhe çdo sukses duket i mangët, sepse mungon ti për ta ndarë me Ty si dikur.

Ka net kur malli bëhet aq i rëndë sa më merr frymën. Ka ditë kur mundohem të buzëqesh, të dukem e fortë… por brenda meje ka një vajtim që nuk ndalet kurrë. Një thirrje që vetëm zemra ime e dëgjon:

BABI, MË MUNGON…

Kam aq shumë për të thënë… dhe askënd që të më dëgjojë si ti.

Askënd që të më kuptojë si ti.

Kjo është ajo që më dhemb shumë.

Kam aq shumë për të të treguar… për jetën time, për lodhjen që mbaj brenda, për këtë botë që shpesh më duket e ftohtë dhe me shumë fytyra.

Më mungon zëri yt kur më thoje:

“MERR MË SHTRUAR JETËN… SEPSE KA ENDE GJËRA TË BUKURA PËR TË KALUAR…”

Dhe e di… ndoshta ende po mundohem ta gjej atë të bukurën, mes mungesës tënde.

Ka momente kur më duket se po lodhem nga jeta… nga njerëzit, nga heshtja, nga pesha që mbaj brenda vetes. Dhe në ato momente, gjithçka që dua është të vij tek ti… të vendos kokën në kraharorin tënd dhe të pushoj nga kjo botë.

POR TI NUK JE… DHE KJO ËSHTË E VËRTETË QË MË THYEN ÇDO DITË.

Dhe prapë… në gjithë këtë dhimbje, ka diçka që nuk më lë të bie: unë të ndjej. Sikur je pranë meje. Sikur më sheh kur unë rrëzohem në heshtje. Sikur më mban ende… edhe pse nuk të shoh dot.

Ndoshta kjo është dashuria që nuk vdes kurrë.

Babi im… unë nuk kam mësuar të jetoj pa ty.

Thjesht po mësoj të jetoj me dhimbjen tënde.

Thonë se koha i shëron të gjitha,por jo mungesën tënde. Ajo vetëm më ka mësuar të jetoj me një boshllëk që nuk mbushet.

Babi im… dhimbja për ty nuk ka fund. Por as dashuria ime për ty nuk ka kufi.

Derisa të vij dita që të të përqafoj sërish…

PREHU NË PAQE, DRITA MË E BUKUR E SHPIRTIT TIM .

23.03.2026

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB