POSTIMET E FUNDIT

Mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, afati përfundon sonte

Prishtinë – Periudha 12-ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit përfundon sonte në mesnatë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në paraditen e sotme janë pranuar mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim nga mërgimtarët.

Nga numri i përgjithshëm i aplikimeve, rreth 100 mijë kërkesa janë aprovuar, afro 7 mijë janë refuzuar, ndërsa mbi 10 mijë të tjera mbeten ende në shqyrtim.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se qytetarët gjatë regjistrimit kanë pasur mundësinë të zgjedhin mënyrën e votimit, qoftë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës apo përmes postës.

“Sonte në mesnatë, më 17 maj, përfundon periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës. Votuesit kanë mundur të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit”, deklaroi Elezi.

Sipas KQZ-së, interesimi më i madh është shënuar për votimin përmes postës. Mbi 76 mijë qytetarë kanë zgjedhur këtë formë votimi, ndërsa rreth 23 mijë të tjerë kanë vendosur të votojnë fizikisht në ambasada dhe konsullata.

Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë Gjermania, Zvicra, Franca, Suedia, Austria dhe Britania.

KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se edhe shtetasit e Kosovës që në ditën e zgjedhjeve do të ndodhen jashtë vendit, do të kenë të drejtën e votimit, nëse regjistrohen brenda afatit të përcaktuar.

Procesi i regjistrimit për votuesit jashtë Kosovës kishte nisur më 6 maj dhe përmbyllet më 17 maj në mesnatë, transmeton rtk.

Foto ilustrim

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB