Nga Dashnim HEBIBI, Zürich
Sot, kur koha hap një derë të re
dhe vitet ndërrojnë emrin në prag,
le ta marrim Vitin e Ri si amanet,
ta mbushim kalendarin me të mira
– orë pas ore, ditë pas dite, muaj pas muaji –
që në fund të rrugës të krenohemi
me gjurmët e buta që kemi lënë pas.
Le t’i pastrojmë zemrat nga pluhuri i mllefit,
nga fjalët e rënda e heshtjet që lëndojnë,
dhe t’i mbushim me mirësi,
si shtëpi ku hyn drita pa trokitur.
Le ta pyesim veten me përulësi:
a do të jemi nesër,
a do ta presim Vitin tjetër?
Askush nuk e di sa zgjat udha jonë,
prandaj çdo çast le të jetë dhuratë.
Le t’i mbushim kontot e shpirtit me dashuri,
me fjalë të mira, me duar që ndihmojnë,
e jo vetëm kontot e kësaj bote kalimtare,
sepse në fund të fundit
do të bëhemi dhe mbi këtë dhe,
e vetëm e mira do të mbetet dëshmi për ne.
Le të buzëqeshim edhe kur rruga lodh,
le të dashurojmë pa frikë e pa kushte,
le të falim më shumë se sa gjykojmë,
sepse jeta është e shkurtër
për zemra të mbyllura.
Zoti na bekoftë neve, familjet tona
Miqësinë e shoqërinë
me shëndet, paqe e harmoni në çdo hap,
dhe na udhëzoftë që çdo ditë të jemi
pak më njerëz, pak më dritë.
Gëzuar këtë fillim viti,
kur në mërgatë hapen dyert e shkollës
dhe rrugët mbushen sërish me hapa të kthyer nga atdheu.
Qoftë ky një fillim i mbarë,
me dije për fëmijët, forcë për prindërit
dhe shpresë për të gjithë.
Miq, shokë dhe mbarë kombi im
këtë urim le ta lexojmë me zemër
ashtu siç lexohet një lutje për një fillim të mbarë.
Janar, 2026
Foto nga New York, Selia e OKB




