Papa Leone XIV ka bërë thirrje për paqe, respektim të sovranitetit dhe mbrojtje të të drejtave njerëzore e civile në Venezuelë pas sulmeve amerikane dhe arrestimit të presidentit Nicolás Maduro me bashkëshorten nga forcat amerikane.
Gjatë lutjes mesditore të Angelus në sheshin e Shën Pjetrit, sipas Vatican News, papa shprehu shqetësim për zhvillimet e fundit, duke thënë: “E mira e popullit të dashur venezuelian duhet të mbizotërojë mbi çdo konsideratë tjetër dhe të na çojë të kapërcejmë dhunën dhe të ndjekim rrugët e drejtësisë dhe paqes, duke ruajtur sovranitetin e vendit, duke garantuar sundimin e ligjit të shenjtëruar në Kushtetutë”.
Ai bëri thirrje për “respektimin e të drejtave njerëzore dhe civile të çdo personi dhe të të gjithëve, dhe punën për të ndërtuar së bashku një të ardhme të qetë bashkëpunimi, stabiliteti dhe harmonie, me vëmendje të veçantë ndaj më të varfërve që vuajnë nga situata e vështirë ekonomike”.
Ai përfundoi apelimin duke nxitur besimin te Zoti, duke thënë: “Le të vazhdojmë të kemi besim te Perëndia i paqes” dhe thirrje për solidaritet me njerëzit që vuajnë nga luftërat.
Sipas Vatican News, Konferenca Ipeshkvnore Venezueliane lëshoi një deklaratë të dielën duke shprehur solidaritet me popullin dhe duke refuzuar dhunën, duke u bërë thirrje venezuelianëve të qëndrojnë në lutje dhe unitet dhe duke kërkuar që të gjitha vendimet të merren “për të mirën e popullit tonë”.
Venezuela të shtunën herët tha se SHBA-ja sulmoi instalime civile dhe ushtarake në disa shtete, dhe pastaj shpalli gjendje emergjence kombëtare.
Presidenti amerikan Donald Trump më vonë konfirmoi sulmin në “shkallë të gjerë”, duke shtuar se Maduro dhe bashkëshortja e tij ishin kapur dhe dërguar jashtë vendit.
Ai më pas tha se SHBA-ja do ta “drejtojë” Venezuelën derisa të sigurohet një tranzicion “i sigurt”, dhe të rregullojë infrastrukturën e saj të naftës.
Sulmet erdhën pas muajsh presioni në rritje amerikan ndaj Maduros, të cilin Uashingtoni e akuzon për përfshirje në trafik droge, transmeton rtsh.




