Për herë të parë Ansambli Folklorik i Ukrainës, i përbërë nga 28 artistë të këngës dhe valleve tradicionale shqiptare, bij e bija të diasporës, të lindur dhe rritur larg atdheut, por me rrënjë të thella në kulturën, kujtesën dhe shpirtin shqiptar, iu bashkua Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë në koncertin “Kërcim pa Kufij”, i zhvilluar në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Në skenë, ansambli shqiptar i këngëve dhe valleve “Colorit” dhe grupi i valleve “Ilyria” nga fshati Karakurt, të cilët përfaqësojnë diasporën shqiptare në Ukrainë, solli elementë të trashëgimisë kulturore shqiptare, të ruajtur dhe zhvilluar gjatë shekujve në Ukrainë, duke krijuar një bashkim të fuqishëm midis traditave të brendshme dhe diasporës.
Çdo kërcim, çdo tingull dhe çdo kostum i ngjyrosur shprehnin lidhjen e thellë me atdheun dhe identitetin shqiptar. Sonte, përmes ritmit, kostumit dhe këngës, kufijtë gjeografikë u tretën. Foli shpirti që nuk njeh kufij.
Koncerti tregoi se kultura dhe arti mund të bashkojnë njerëzit edhe në kohë sfidash dhe se rrënjët kulturore nuk harrohen kurrë. A.K./TemA




