POSTIMET E FUNDIT

16 dhjetori i një viti

Nga Prof.Dr. Xhavit LIPAJ

Nuk ishte datë

Ishte një defekt në arsyen e kohës,

një numër që u shtir si kufi,

por u soll si humnerë.

Dita erdhi pa ardhur.

Ora nuk mati asgjë,

veç sa e mbajti frymën pezull

midis dy asgjësive që s’u njohën kurrë.

Gjithçka kishte formë,

por asgjë nuk kishte qëllim.

Fjalët rrotulloheshin rreth vetes, si planete pa gravitet, dhe kuptimi, ishte një shenjë trafiku

e kthyer nga ana e padukshme.

Njeriu qëndronte në qendër

pa qenë aty.

Trupi i tij ishte dëshmi,

mendimi, alibi.

Ai ekzistonte si gabim

që nuk kërkonte korrigjim.

16 dhjetori i një viti

nuk ndodhi në kalendar, por në një çarje

ku kujtesa harroi veten, dhe e vërteta u bë shumë e rëndë, për t’u quajtur e tillë.

Atë ditë,

pyetjet u lodhën nga përgjigjet,

dhe përgjigjet u shndërruan

në heshtje që pretendonin urtësi.

Koha u ul në gjunjë,

jo për t’u lutur,

por se nuk dinte më

në cilin drejtim të binte.

Në fund, asgjë nuk përfundoi.

Vetëm një ndjenjë mbeti e varur, si një dritë e fikur që ende ndriçon, për ata që guxojnë

ta shohin errësirën, pa emër.

16 dhjetori i një viti,

një ditë që nuk kërkon të kuptohet,

por të mbijetojë

brenda atij që mendon

se e ka kuptuar veten.

Vetëm kėshtu …

Dhjetor, 2025

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB