POSTIMET E FUNDIT

Rruga që Lind nga Pyetja

Nga Dashnim HEBIBI, Zvicër

Gjakoj për të vërtetën

jo atë që thuhet,

por atë që lind në çastin

kur mendimi ndal frymën

dhe e dëgjon veten.

E bukura më vjen si enigmë:

ajo nuk është formë,

por mënyra se si syri

përkulet brenda shpirtit

dhe gjen aty një pasqyrë që s’e priste.

Ajri më thërret,

era më thyen,

sepse çdo element kërkon prej meje

t’ia pranoj misterin.

Ndoshta bota nuk shpjegohet,

veçse përjetohet.

Kur rri vetëm,

pyes kujtesën si një filozof të lodhur:

sa jam i sotshëm,

sa jam i nesërm,

dhe a ka një unë që i përfshin të dy?

Kujtesa hesht —

ndoshta përgjigjja nuk është kohore,

por qenie.

O vetja ime e trazuar,

ulu nën këtë pemë:

hija e saj nuk është strehë,

por mësim i përkohshmërisë.

Jeta më dha dhurata,

por jo fitoren —

sepse fitorja, mbase,

s’është një ngjitje,

por një kuptim i rënies.

Njeriu fiton

vetëm kur ndalon së kërkuari

përjashta,

dhe guxon të hyjë brenda vetes

si në një pyll pa hartë.

Atje humbja bëhet dritë,

pyetja bëhet rrugë,

dhe unë —

ndoshta më në fund —

bëhem i tëri i pranishëm.

Dhjetor, 2025

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB