Më shumë se gjysma e popullsisë në Zvicër i përket shtresës së mesme të të ardhurave. Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), shumë familje që konsiderohen pjesë e kësaj shtrese përballen ende me vështirësi financiare, sidomos kur hasin shpenzime të papritura ose kosto të larta jetese, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch. Sipas përkufizimit të BFS-së, një person që jeton vetëm konsiderohet pjesë e shtresës së mesme nëse ka të ardhura mujore bruto nga 4228 deri në 9061 franga zvicerane. Ndërsa për një çift me dy fëmijë nën moshën 14-vjeçare, kjo kategori përfshin të ardhura nga 8880 deri në 19.028 franga në muaj.
Për shkak të diferencave të mëdha brenda kësaj kategorie, shtresa e mesme ndahet në “mesatare të ulët” dhe “mesatare të lartë”. Kufiri ndarës për një person që jeton vetëm është 6041 franga, ndërsa për familjet me dy fëmijë arrin në 12.685 franga në muaj.
Statistikat tregojnë se shtresa e mesme në Zvicër ka mbetur relativisht stabile nga viti 1998 deri në vitin 2023. Pjesëmarrja më e lartë u regjistrua në vitin 2009 me 61,3 për qind të popullsisë, ndërsa më e ulëta në vitin 2018 me 54,4 për qind. Megjithatë, edhe pse konsiderohen “shtresë e mesme”, shumë familje në kategorinë e ulët të kësaj shtrese përballen me vështirësi ekonomike. Në vitin 2024, rreth 25 për qind e tyre deklaruan se nuk do të ishin në gjendje të përballonin një shpenzim të papritur prej 2500 frangash. Në shtresën e mesme të lartë, kjo përqindje ishte dukshëm më e ulët, vetëm 10,9 për qind. Një tjetër problem mbetet kostoja e lartë e banimit. Sipas raportit, 10,5 për qind e familjeve të shtresës së mesme të ulët shpenzojnë më shumë se 40 për qind të të ardhurave të tyre për banesën. Në shtresën e mesme të lartë, kjo situatë prek vetëm 3,5 për qind të familjeve. Vështirësitë financiare ndikojnë edhe në jetën sociale. Rreth 11 për qind e personave në shtresën e mesme të ulët nuk kanë mundësi të shkojnë në pushime për arsye ekonomike, ndërsa në shtresën e mesme të lartë kjo shifër bie në vetëm 3,1 për qind.
Raporti tregon gjithashtu se pakënaqësia me gjendjen financiare është dukshëm më e lartë në mesin e familjeve me të ardhura më të ulëta brenda shtresës së mesme. Rreth 10,6 për qind e tyre shprehen të pakënaqur me situatën ekonomike të familjes, krahasuar me vetëm 3,7 për qind në shtresën e mesme të lartë. Këto të dhëna dëshmojnë se edhe në një vend të pasur si Zvicra, shtresa e mesme nuk është gjithmonë e mbrojtur nga presioni financiar dhe rritja e kostos së jetesës, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.




