BallinaDiasporaLausanne bashkon bizneset kosovare dhe zvicerane për partneritete të reja ekonomike

Lausanne bashkon bizneset kosovare dhe zvicerane për partneritete të reja ekonomike

-

Forumi B2B synon të krijojë partneritete të reja ndërmjet bizneseve kosovare dhe zvicerane, duke hapur mundësi për eksport, furnizim dhe bashkëpunim industrial në tregun evropian.

Mbi 25 kompani prodhuese nga Kosova po prezantojnë kapacitetet dhe produktet e tyre para bizneseve zvicerane, në kuadër të Forumit B2B Zvicër–Kosovë, i cili mbahet në Starling Hotel në Saint-Sulpice të Lausanne-s. Ky aktivitet ekonomik synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, të krijojë mundësi të reja për eksport dhe të nxisë lidhjen e drejtpërdrejtë të prodhuesve kosovarë me partnerët potencialë në Zvicër dhe në tregjet e tjera evropiane. Në fokus të forumit janë sektorë me potencial të lartë zhvillimi dhe eksporti, përfshirë përpunimin e drurit dhe prodhimin e mobiljeve, shtëpitë dhe strukturat e parafabrikuara, përpunimin e metaleve, si dhe industrinë e tekstilit dhe të veshmbathjes.

Takime biznesore për partneritete konkrete

Pas hapjes zyrtare të forumit, agjenda parasheh takime të drejtpërdrejta ndërmjet kompanive kosovare dhe atyre zvicerane, me qëllim identifikimin e mundësive konkrete për bashkëpunim ekonomik.

Përmes këtyre takimeve, prodhuesit nga Kosova synojnë të prezantojnë ofertat e tyre, të krijojnë kontakte të reja tregtare dhe të shqyrtojnë mundësitë për eksport, furnizim, prodhim me porosi dhe nënkontraktim për kompanitë zvicerane.

Në hapjen e aktivitetit pritet të marrin pjesë përfaqësues të organizatorëve, të projektit GROW dhe të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, si dhe ambasadori i Kosovës në Bernë, Mentor Latifi.

Në kuadër të programit janë paraparë edhe prezantime nga përfaqësues të industrisë së drurit, ndërtimeve të parafabrikuara, përpunimit të metaleve dhe tekstilit. Pjesa kryesore e aktivitetit i kushtohet takimeve B2B, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të lidhjeve të reja profesionale.

Mundësi të reja për prodhuesit kosovarë

Forumi organizohet nga platforma Albinfo, Think B, Groupe Orllati dhe Probat Group, në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës.

Aktiviteti mbështetet nga projekti GROW, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Swisscontact në Kosovë. Projekti synon të rrisë konkurrueshmërinë e sektorit privat kosovar, të përmirësojë standardet e prodhimit dhe të ndihmojë ndërmarrjet vendore të zgjerojnë praninë e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në një forum të tillë u ofron kompanive kosovare mundësinë të njihen me kërkesat e tregut zviceran, të prezantojnë cilësinë e produkteve të tyre dhe të krijojnë bashkëpunime afatgjata me partnerë të huaj.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces mund të luajnë edhe bizneset shqiptare që veprojnë në Zvicër, të cilat mund të kontribuojnë si importues, investitorë, partnerë tregtarë ose ndërmjetës në krijimin e lidhjeve ndërmjet prodhuesve nga Kosova dhe tregut zviceran.

Marrëveshja e tregtisë së lirë, një mundësi shtesë për bashkëpunim

Forumi në Lausanne zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, vetëm disa javë pas hyrjes në fuqi, më 1 tetor 2026, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra.

Marrëveshja krijon mundësi të reja për zhvillimin e shkëmbimeve tregtare dhe për përmirësimin e qasjes së produkteve kosovare në tregjet përkatëse, në përputhje me kushtet dhe rregullat e saj.

Në këtë kontekst, takimet ndërmjet bizneseve konsiderohen një mundësi për ta shndërruar kuadrin e ri tregtar në bashkëpunime konkrete, kontrata furnizimi dhe partneritete industriale. Forumi B2B Zvicër–Kosovë synon kështu të krijojë një urë të re bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke u dhënë prodhuesve kosovarë mundësinë të dëshmojnë potencialin e tyre dhe të synojnë një prani më të qëndrueshme në tregun zviceran dhe atë evropian./BSot

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Akademik Anastas Angjeli merr pjesë në konferencën e parë “Dialogues4Peace” në...

0
Akademik Anastas Angjeli përfaqësoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në konferencën e parë ndërkombëtare “Dialogues4Peace”, të zhvilluar në Athinë, në datat 25–27 tetor 2026,...