Akademik Anastas Angjeli përfaqësoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në konferencën e parë ndërkombëtare “Dialogues4Peace”, të zhvilluar në Athinë, në datat 25–27 tetor 2026, organizuar nga Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve (EASA) dhe World Academy of Art and Science (WAAS). Ai është anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA) dhe i World Academy of Art and Science (WAAS), si dhe kryetar i Komisionit të Ekonomisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Konferenca përmes studimeve dhe kumtesave, solli përvoja mbi dialogun, rolin e tij në zgjidhjen e konflikteve dhe vendosjen e paqes, duke trajtuar ngjarje dhe konflikte të ndryshme ndërkombëtare, rajonale, kombëtare, komunitare, ushtarake, politike, ekonomike dhe sociale, në kohë dhe vende të ndryshme.
Veprimtaria vlerësoi se institucionet ndërkombëtare, akademitë e shkencave, organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile duhet të kenë një rol më aktiv në nxitjen e dialogut për paqe. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e zhvillimeve të sotme gjeopolitike dhe ekonomike.










