BallinaDiasporaZvicra dhe Kosova diskutojnë hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim

Zvicra dhe Kosova diskutojnë hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim

-

Mbahen konsultimet politike ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në Bernë

Në Bernë u mbajtën konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Konsultimet u kryesuan nga Sekretari i Përgjithshëm i MPJD-së, z. Ilir Muçaj, dhe Ndihmëssekretari i Shtetit i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, z. Pierre-Yves Fux.

Pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës ishin edhe z. Mentor Latifi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër; z. Valdrin Grainca, U.D. Udhëheqës i Divizionit për Evropë dhe Bashkimin Evropian; znj. Fatmire Musliu, Zyrtare e Lartë; dhe z. Gjenis Haxhimehmeti, Sekretar i Dytë.

Gjatë konsultimeve u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional. Vëmendje iu kushtua vazhdimësisë së dialogut politik, shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Sekretari i Përgjithshëm Muçaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për zhvillimin dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për kontributin e saj në ruajtjen e sigurisë përmes angazhimit në KFOR.

Në fushën ekonomike u trajtuan mundësitë për rritjen e investimeve zvicerane në Kosovë, zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve. Në këtë kuadër, u nënvizua rëndësia e hyrjes në fuqi, më 1 tetor 2026, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, përfshirë Zvicrën, si një mundësi e rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve ekonomike. U diskutua gjithashtu për bashkëpunimin zhvillimor dhe projektet që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe institucional të Kosovës.

Vëmendje e veçantë iu kushtua diasporës së Kosovës në Zvicër, kontributit të saj në të dyja vendet dhe rolit që luan në forcimin e lidhjeve shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet tyre.

Delegacionet shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, sigurinë rajonale dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Në rrafshin shumëpalësh, u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, dhe mundësitë për bashkërendim të mëtejshëm me Zvicrën.

Pala kosovare shprehu gatishmërinë për vijimin e konsultimeve të rregullta dhe ndjekjen e çështjeve të trajtuara, me qëllim avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, transmeton Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Zhupa nderohet në Itali me çmimin ndërkombëtar “Një jetë për kulturën”

0
Poeti shqiptar Ilirjan Zhupa është nderuar në Reggio Calabria të Italisë me çmimin letrar ndërkombëtar “Rhegium Julii – Një jetë për kulturën”, që mban...