Flakët e zjarrit në Himarë kanë marrë përmasa të frikshme mbrëmjen e kësaj të premteje, duke u përhapur me shpejtësi në drejtim të zonave të banuara dhe duke kaluar mbi ndërtesat shumëkatëshe të njësive hoteliere në zonë.
Situata paraqitet tejet shqetësuese, ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e flakëve dhe vështirëson ndërhyrjen për vënien nën kontroll të zjarrit.
Deri më tani raportohet se dy banesa janë përfshirë nga flakët, ndërsa dhjetëra të tjera ndodhen nën rrezikun e përhapjes së zjarrit.
Për shkak të situatës së krijuar, Policia ka bllokuar qarkullimin në bypass-in e Himarës, duke lejuar kalimin vetëm të mjeteve të emergjencës dhe automjeteve të angazhuara në operacionin për shuarjen e zjarrit.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa situata mbetet dinamike dhe kërkon masa të menjëhershme për mbrojtjen e banorëve dhe zonave të banuara, transmeton euronewsal.










