Shkrimtari shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Adnan Mehmeti, i cili për disa vite ka drejtuar edhe Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ka shprehur mirënjohjen e tij për një ditë të veçantë në Tiranë, me rastin e promovimit të librit të tij “Simfonia e udhëtimeve”.
Në këtë takim letrar, Mehmeti e ka cilësuar promovimin jo si një fillim të ri, por si një vazhdim të rrugëtimit të veprës së tij.

“Simfonia e udhëtimeve”, sipas autorit, tashmë ka nisur një tjetër udhëtim, atë drejt lexuesve të rinj, me dëshirën që çdo lexues të bëhet një bashkëudhëtar i saj.
Mehmeti ka shprehur mirënjohjen për botuesin Henri Çili dhe UETPress, për mbështetjen në botimin dhe promovimin e veprës, si dhe për Mujo Buçpapajn, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Në mënyrë të veçantë, autori ka falënderuar për praninë dhe kontributin e tyre në këtë veprimtari kritikën letrare Emi Krosi, gazetaret Yllka Lezo dhe Kozeta Zavalani, poetin Përparim Hysi, si dhe Ilinden Spasse, Flutura Maçin, Komola Maçin, Minella Kuretën, Alban Tafajn, Kujtim dhe Elma Mustën, Meijvis Ballën, Raimonda Maleçkën, Dionis dhe Arjana Zekthin, Gjergj dhe Laura Kondën, Dhurata Kasën, Perikli Shulin, Barie Çupin, Mario Benerin dhe Vilma Tafaj Memetin, së bashku me miq e kolegë të tjerë që u bënë pjesë e këtij takimi.
Një falënderim të veçantë Mehmeti ia ka kushtuar edhe moderatores Suadela Balliu, duke vlerësuar profesionalizmin dhe mënyrën e drejtimit të këtij eventi letrar. Promovimi në Tiranë u shndërrua kështu në një moment të rëndësishëm për autorin dhe veprën e tij, duke e vijuar rrugëtimin e “Simfonisë së udhëtimeve” drejt lexuesve dhe duke bashkuar rreth saj emra të njohur të botës së letrave, kulturës dhe gazetarisë shqiptare, transmeton Albanian News.










