Poeti shqiptar Ilirjan Zhupa është nderuar në Reggio Calabria të Italisë me çmimin letrar ndërkombëtar “Rhegium Julii – Një jetë për kulturën”, që mban emrin e themeluesit Giuseppe Casile. Ceremonia u zhvillua më 31 gusht, në kuadër të edicionit të 58-të të veprimtarisë.
Lajmin e bëri të ditur vetë Zhupa përmes një postimi në Facebook, ku e cilësoi vlerësimin si një moment të veçantë të rrugëtimit të tij krijues. Sipas poetit, çmimi iu akordua për veprimtarinë si poet, eseist, gazetar dhe diplomat. Bashkë me të u nderua edhe poeti uruguajano-spanjoll Julio Cesare Pavanetti Gutierrez.
Çmimi u dorëzua nga presidenti i Rhegium Julii, Giuseppe Bova, dhe përfaqësues të autoriteteve vendore e të kulturës. Ceremonia u shoqërua me lexime poezish në italisht dhe në shqip. Në fjalën përshëndetëse, Zhupa theksoi domethënien e veçantë që ka për të ky vlerësim në Itali, një vend me ndikim të rëndësishëm në formimin e tij letrar e kulturor.
“Kam marrë shumë çmime në Shqipërinë time dhe në disa shtete larg dhe afër saj. Po ky çmim ka një kuptim e kumbim të jashtëzakonshëm, kur merret në Reggio Calabria, pra në Itali”, u shpreh ai. Një pjesë të fjalës së tij poeti ia kushtoi lidhjeve historike dhe kulturore mes shqiptarëve dhe italianëve, duke e përshkruar Adriatikun si një hapësirë komunikimi dhe afrimi mes dy popujve.
“Në çaste humbjesh e dëshpërimi, kemi kapërcyer detet për të ardhur e mbijetuar këtu. Në kohë mundësish dhe ëndrrash, sërish stacioni i parë ka qenë Italia. Që nga arbëreshët e hershëm e gjer te emigrantët e ditëve tona”, tha Zhupa. Ai solli në vëmendje figurën e Jeronim De Radës dhe rolin e komunitetit arbëresh në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit shqiptar. Poeti vlerësoi gjithashtu integrimin e brezave të sotëm të emigrantëve shqiptarë dhe kontributin e tyre në jetën ekonomike e profesionale të Italisë.
Në mbyllje, Zhupa falënderoi organizatorët dhe veçanërisht Giuseppe Bovën, duke e cilësuar çmimin “Una vita per la cultura” një nder të veçantë për veprimtarinë e tij, transmeton gtema.










