Zürich – Stacioni qendror i Zürichut, Zürich HB, ka zënë vendin e parë në Indeksin e Stacionit Hekurudhor Evropian 2026, duke e mbajtur këtë pozitë për të pestin vit radhazi. Renditja e këtij viti përfshiu 60 stacionet më të mëdha hekurudhore në Evropë. Ato u vlerësuan në bazë të disa kritereve, përfshirë vonesat e trenave, kohën e pritjes, qasjen, lidhjet hekurudhore dhe shërbimet që ofrojnë stacionet.
Zürich HB grumbulloi 101 pikë, duke lënë pas për vetëm gjysmë pike stacionin Gare du Nord në Paris, i cili u rendit i dyti me 100.5 pikë.
Suksesi zviceran nuk u kufizua vetëm te Zürichu. Stacioni i Bernës gjithashtu u rendit në pesëshen e pare, ndërsa Luzerni zuri vendin e 14-te. Një nga pikat më të forta të stacioneve zvicerane ishte besueshmëria e shërbimit hekurudhor. Luzerni regjistroi përqindjen më të ulët të trenave të vonuar në të gjithë renditjen, me vetëm 0.3 per qind. Berni pasoi me 1.8 per qind, ndërsa Zürich HB u rendit i gjashti në këtë kategori, me 4.2 per qind të trenave të vonuar. Rezultatet e indeksit e vendosin sistemin hekurudhor zviceran në një pozitë të spikatur në Evropë, veçanërisht sa i përket respektimit të orareve dhe lidhjeve të transportit. Për miliona udhëtarë që përdorin trenat çdo ditë, efikasiteti dhe funksionimi i rregullt i stacioneve janë pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme. Në Zvicër, ku udhëtimi me tren është pjesë e rutinës së përditshme, këto rezultate pasqyrojnë rëndësinë e transportit hekurudhor në vend. Me Zürich HB në krye për të pestin vit radhazi dhe me Bernën e Luzernin gjithashtu në mesin e stacioneve të renditura lart, Zvicra vazhdon të ketë një prani të rëndësishme në sistemin hekurudhor evropian, njofton Ambasada e Zvicrës në Kanberë / Konsullata e Përgjithshme në Sidnej, përcjell helveticALforum.ch.










