Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar afatet kryesore, planin operacional dhe buxhetin për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen më 7 qershor. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e së premtes, këto zgjedhje do të kushtojnë rreth 10 milionë e 800 mijë euro.
Fushata zgjedhore do të nisë më 28 maj dhe do të zgjasë gjithsej 10 ditë e 7 orë, duke u konsideruar një nga periudhat më të shkurtra të fushatave në vend.
Afatet për subjektet politike tashmë janë përcaktuar. Nga data 2 deri më 10 maj do të pranohen aplikimet për certifikimin e partive politike dhe iniciativave qytetare që nuk janë certifikuar më parë. Ndërkohë, subjektet e certifikuara do të kenë kohë nga 2 deri më 12 maj për dorëzimin e listave të kandidatëve.
Një tjetër moment i rëndësishëm do të jetë më 16 maj, kur do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime.
Sipas anëtarit të KQZ-së, Alban Krasniqi, emërimi i anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve duhet të përfundojë më së largu deri më 8 maj, ndërsa lista e qendrave të votimit do të publikohet më 5 maj.
Procesi zgjedhor përfshin edhe votuesit jashtë vendit. Regjistrimi i tyre do të bëhet nga 6 deri më 17 maj, ndërsa votimi përmes postës do të zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor. Po ashtu, votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Brenda vendit, qytetarët do të kenë mundësi të kundërshtojnë dhe korrigjojnë listën e votuesve nga 6 deri më 18 maj.
Me këto afate të përcaktuara, institucionet zgjedhore synojnë një proces të organizuar dhe transparent, në një kohë të shkurtër përgatitore për zgjedhjet e jashtëzakonshme, transmeton rtk.




