BallinaKulturaCIKËL POETIK NGA KONG KWANGKYU KOREA E JUGUT

CIKËL POETIK NGA KONG KWANGKYU KOREA E JUGUT

-

(Përktheu: Angela Kosta)

Poeti Kong Kwangkyu ka lindur në vitin 1960, në Donam-dong (Seul). Fëmijërinë e kaloi midis Hongseongut dhe Boryeongut, në provincën Chungcheongnam-do, ndërsa u rrit në qarkun Cheongyang. Studioi për Gjuhë – Letërsi Koreane në Universitetin Dongguk dhe përfundoi studimet pasuniversitare për Shkrim Kreativ në Universitetin Dankook, në të cilën mori gradën Doktor i Shkencave në Letërsi.

Debutimin e tij të parë letrar e bëri në vitin 1986, pasi fitoi Çmimin për Autorët e Rinj në revistën mujore “Dongseo Literature”.

Ndër përmbledhjet e tij poetike përfshihen: Ditari universitar (1987), Gjethet e thata rikthehen në jetë (1989), Një marrëdhënie brutale (1986), Shembja e murit (2013), Drejt Paju-së (2017), Poemë epike: Mali Geumgang (2019) dhe Poemë epike: Deti Lindor (2022), etjer…

Gjithashtu, Kong ka botuar nëntë vëllime me prozë dhe vepra kushtuar poezisë, ndër të cilat përmbledhjen me ese “Trishtim i kthjellët” (2016), librin e poezive të ilustruara “Borë e bardhë” (2016) dhe përmbledhjen e poezive të zgjedhura, të shkruara me dorë, “Face Side Dishes” (2014).

Poezitë e tij janë përkthyer në indonezisht dhe janë botuar në përmbledhjen Pesan Sang Mentari (Fjalët e dritës së diellit, 2019).

Kong ka botuar gjithashtu studime akademike dhe vepra të kritikës letrare, ndër të cilat Studim mbi metodat krijuese në poezinë e Shin Kyung-rim (2005), Mënyra të të shkruarit dhe të leximit të poezisë (2006), manualin e shkrimit poetik Mësime shkrimi poetik përmes tregimeve (2009) dhe përmbledhjen e eseve kritike Gëzimi i leximit të poezisë së grave (2015).

Poema e tij “Shembja e murit” u përzgjodh në vitin 2012 nga poetët dhe kritikët koreanë si poema më e mirë e vitit.

Ndër çmimet e shumta letrare që ka marrë përfshihen: Çmimi Letrar Silla (1989), Çmimi Yun Dong-ju (2009), Çmimi Letrar Dongguk (2010), Çmimi Letrar Kim Man-jung (2010), Çmimi për Letërsinë Budiste Bashkëkohore (2011), Çmimi Letrar Goyang Haengju (2012), Çmimi DICAPoetry Work (2015), Çmimi Letrar Shin Seok-jeong (2017), Çmimi i Letërsisë së Gjelbër (2020), Çmimi Letrar Dankook (2020), Çmimi Letrar Han Yong-un (2023) dhe Çmimi Letrar Dante (2025).

Gjithashtu, në vitin 2019, Kong u përfshi në listën e gjatë të Çmimit Ndërkombëtar të Poezisë të Zv. rektorit të Universitetit të Kanberrës.

PELLGU I VERËS

Nga lotusi i kuq

shiu rrëshqet pikë – pikë,

dhe, teksa mblidhet mbi gjethet jeshile të lotusit,

në perla të bardha shndërrohet.

Duke krijuar dhjetëra mijëra xhevahire

në pellg i derdh,

dhe pellgu i vogël i shtëpisë së fshatit

sërish zgjohet

sa herë stina e shirave vjen…

NJË LIBËR I MREKULLUESHËM

Një vit lexova një libër të mrekullueshëm,

jo në bibliotekë, por në rrugë;

jo ulur në një tryezë,

por në restorante, në shtigje mali,

në sallat e kinemave,

në dhomat e karaokes dhe kafaneve.

Një njeri si një revistë,

një njeri si një roman,

një njeri si një libër me poezi:

çdo faqe e shfletoja ngadalë,

duke e shijuar.

Ishte një libër me kopertinë të mrekullueshme

dhe me një përmbajtje po aq të bukur.

Faqe të ngrohta nga nxehtësia e trupit:

i lexoja me sy,

i shfletoja me gjuhë

dhe i nënvizoja me të dyja këmbët.

Librat nuk ekzistojnë vetëm

në librari ose në biblioteka.

Leximi më i rëndësishëm

nuk është gjithmonë ai i Shkrimeve të Shenjta

apo i klasikëve.

Njeriu…

në të vërtetë,

një libër i mrekullueshëm është.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Festivali historik shqiptar në Staten Island / bashkon komunitetin me muzikë,...

0
Nga Beqir SINA – Staten Island, New York Slide/show(Photos) : https://youtu.be/wN26Jcbb174?is=c8m-QYiHajbJsnZy Në bregun e South Beach Boardwalk, Staten Island u mbush dje, më 19 shtator 2026,...