
Nga Beqir SINA – Staten Island, New York
Slide/show(Photos) : https://youtu.be/wN26Jcbb174?is=c8m-QYiHajbJsnZy
Në bregun e South Beach Boardwalk, Staten Island u mbush dje, më 19 shtator 2026, me tingujt e këngëve shqiptare, erën e ushqimeve tradicionale dhe ritmin e valleve.
Festivali i Parë Shqiptar, i organizuar nën kujdesin perdonal nga Naser Nika, së bashku me dhjetra shoqatat e komunitetit, u kthye në një ditë të madhe festive që mblodhi qindra bashkatdhetarë për të festuar trashëgiminë, muzikën, vallet dhe gatimet e guzhinës së shtëpisë shqiptare.
Që në orët e para, vijën bregdetare e pushtuan flamujt kuq e zi, stendat e e firmave të njohura shqiptare të avokatve(“Cakani Law Firm, P.C.” e cila është një studio ligjore e përkushtuar ndaj rasteve të lëndimeve personale, e themeluar nga avokati gjyqësor Ylli Cakani për të përfaqësuar klientë që kanë pësuar lëndime të rënda në New Zyork, dhe zonën e Tri-Shteshit) dhe të pasurive të patundshme, artizanëve dhe tavolinat me byrek, qofte, tavë kosi e ëmbëlsira.
Fëmijët vraponin midis tezgave, ndërsa familjet ndaleshin për t’u përshëndetur dhe për të ndjerë se ishin në shtëpi, edhe pse larg tokës së vend/origjinës.
Festivali u moderua nga Blerina Kavaja, e cila e mbajti programin të rrjedhshëm nga skena te valle e nga fjalët e mirëseardhjes te kënga.
Në skenë ndërroheshin interpretues të traditës dhe të diasporës. Një nga emrat që ndezi atmosferën ishte këngëtari i njohur i muzikës popullore e qytetare, Besim Muriqi, së bashku me Shkelzen Jetishin
Muzika tradicionale përzihej me ritme më të reja, por zemra e ditës mbeti vallja tradicionale shqiptare. Kush donte, hynte. Kush dinte hapat, udhëhiqte. Kush nuk i dinte, mësonte aty. Kostumet popullore e bënin vendin të dukej si shesh feste i çdo treve shqiptare.
Naser Nika e ka quajtur këtë ngjarje festival historik.
Për herë të parë kaq shumë shoqata (14) u mblodhën në një vend, në një ditë, me një qëllim të thjeshtë, që të tregojnë kulturën, të shijon ushqimet e guzhinës shqiptare bashkë dhe t’u lënë fëmijëve një kujtim të gjallë të gjuhës e traditës.
Hyrja ishte e lirë, e hapur për familje.
Festivali u përshëndet edhe nga zyrtarë të Kongresit, të shtetit të Nju Jorkut dhe të qytetit, të cilët erdhën në South Beach për t’i uruar komunitetit një ditë të bukur e për të parë nga afër gjallërinë e organizimit. Prania e tyre e bëri ngjarjen edhe më të plotë, si një festë lokale që Staten Island e ndjeu si të vetën.
Një skuadër me uniforma blu e Shoqatës së Policëve Shqiptarë në NYPD qëndroi pranë pjesëmarrësve gjatë gjithë ditës.
Ata u shfaqën të qetë, të rregullt dhe të dashur me fëmijët e familjet. Uniformat blu midis flamujve e kostumeve popullore dhanë një pamje të veçantë, komuniteti festonte, ndërsa një pjesë e tij shërbente e ruante atmosferën festive.
Përgjatë ditës njerëzit blinin produkte shqiptare, shikonin stendat kulturore dhe ndaleshin te ushqimi. Deti në sfond dhe era e kripur e bënin vendin edhe më të ngrohtë. Albanian Festival apo United FestivALB, nuk ishte një koncert i zakonshëm. Kjo ishte një ditë ku komuniteti u pa i bashkuar, i gëzuar dhe krenar.
Kur dielli filloi të perendojë , vallja vazhdonte. Zërat e këngëve shqiptare përhapeshin kudo në këtë skaj të New Yorkut.
Festivali i parë i këtij lloji në Staten Island la pas një mesazh për të gjithë komunitetin shqiptar, tradita jeton kur njerëzit mblidhen, këndojnë dhe vallëzojnë së bashku.
Albanian Festival apo United FestivALB ishte një fillim i bukur. Një ditë që komuniteti e mbajti si dëshmi se identiteti nuk humbet kur ruhet me gëzim.
Slide/show(Photos) : https://youtu.be/wN26Jcbb174?is=c8m-QYiHajbJsnZy










