PRISHTINË – Për të pestën natë me radhë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke vazhduar protestat kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta e së mërkurës mbrëma ka nisur me shpalosjen e një flamuri të madh kombëtar, në të cilin ishte vendosur edhe emblema e UÇK-së. Në mesin e protestuesve janë parë pankarta dhe mesazhe që shprehin kundërshtimin ndaj vendimit të gjykatës.
“Jo në emrin tim”, “S’ka paqe pa drejtësi” dhe “Liria ka emër” ishin disa prej parullave të mbajtura nga protestuesit gjatë tubimit.
Protestat në Prishtinë nisën më 16 shtator, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi. Sipas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për vepra të caktuara të krimeve të luftës dhe u dënuan me burgim. Vendimi ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Përkrahësit e protestave kundërshtojnë mënyrën e trajtimit gjyqësor të luftës së UÇK-së dhe kërkojnë që vendimi të rishikohet në procedurat e mëtejshme ligjore. Tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur edhe në qytete të ndryshme jashtë Kosovës, ku pjesëtarë të diasporës shqiptare kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit. Ndërkohë, protestat në Prishtinë kanë hyrë në natën e pestë, me qytetarët që vazhdojnë të mblidhen në shesh dhe të përcjellin mesazhet e tyre përmes pankartave dhe parullave. Protestat po zhvillohen në mënyrë paqësore, ndërsa vëmendja mbetet te hapat e mëtejshëm të procesit gjyqësor dhe procedurat e apelit pas aktgjykimit të shkallës së parë./BS










