POSTIMET E FUNDIT

VATRA 114 VJET – MESAZH URIMI I KRYETARIT TË VATRËS DR. ELMI BERISHA

Të dashur vatranë;

Të nderuar bashkatdhetarë;

Sot është një datë e lavdishme në historinë kombëtare dhe një ditë shumë e veçantë për Shqiptarët e Amerikës dhe kombin tonë. 114 vite më parë patriotët e shquar të kombit shqiptar në Boston Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Llambi Çikozi e Kristo Kirka me bashkëpunëtorët e tyre themeluan Federatën Pan- Shqiptare të Amerikës “VATRA”, institucionin më të çmuar kulturor, patriotik e atdhetar për shqiptarët e Amerikës dhe jo vetëm.

114 vite shërbim në interes të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Amerikë e kthejnë historinë dhe veprimtarinë e Vatrës në një pasuri dhe trashëgimi të shenjtë për çdo shqiptar. Askush si Vatra dhe shqiptarët e Amerikës nuk u investuan kombëtarisht duke sakrifikuar kohën, dijen, pasurinë dhe jetën e tyre në shërbim të Atdheut. Nga Pavarësia e Shqipërisë, shtetformimi institucional, promovimi, njohja ndërkombëtare dhe mbrojtja e Pavarësisë e afirmimit shtetëror botërisht, lufta kundër komunizmit, roli në proceset e demokratizimit të Shqipërisë, rritja e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan, lufta e Kosovës, Pavarësia e Kosovës e kontributi deri në ditët e sotme në promovim të gjuhës shqipe e vlerave më të çmuara të kombit tonë, e kanë kthyer Vatrën në një misionare të shenjtë kombëtare.

Vatra si simbol i nacionalizmit dhe atdhedashurisë shqiptare në Amerikë, është institucioni përbashkues që udhëheq veprimtarinë kombëtare e kulturore në mërgatën e Shteteve të Bashkuara.

Sot kam një falënderim të përzemërt për Kryesinë, Këshillin e çdo vatran që sakrifikon denjësisht për ti shërbyer Vatrës e komunitetit. Puna e Degëve të Vatrës gjeneron energji të pashtershme atdhetarie e krenarie.

Vazhdojmë me dinjitet për të çuar përpara amanetin kombëtar të themeluesve në shërbim të identitetit kombëtar e gjuhës shqipe. Shkollat Shqipe pranë Vatrës Tampa, Miami, Hartfod e Long Island janë referenca atdhetare e krenari kombëtare në Amerikë.

Historia e Vatrës është unike. Vatra ka frymëzuar dhe vazhdon dhe sot me dinjitet të bashkojë breza dhe gjenerata patriotësh të shquar. Në këtë ditë të veçantë në kalendarin e Historisë Kombëtare ne vatranët e sotëm nderojmë jo vetëm themeluesit e Federatës por përulemi me respekt të thellë për çdo patriot që vuri interesin kombëtar mbi gjithçka. Vatra është e shenjtë, ajo do jetojë në shekuj të shekujve.

Respekt dhe Mirënjohje përjetë për të gjithë brezat që kanë punuar prej 114 vitesh për Vatrën, Kombin e Atdheun.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB