POSTIMET E FUNDIT

Ansambli “TROJET” mbërrin në Detroit, merr pjesë në Festivalin e 35-të Shqiptar “Lahuta”

Detroit, 03 korrik 2026 – Siç ka mësuar HelveticALForum.ch, Ansambli “TROJET” nga Winterthuri ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të jetë pjesëmarrës në Festivalin e 35-të Shqiptar “Lahuta”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë, që zhvillohet më 2, 3, 4 dhe 5 korrik në Detroit. Të premten pasdite, anëtarët e ansamblit mbërritën në Detroit dhe iu bashkuan aktiviteteve të festivalit, duke defiluar së bashku me shoqata dhe ansamble të tjera shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesëmarrja e tyre tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve jo vetëm për paraqitjen artistike, por edhe për simbolikën që përcollën gjatë defilimit.

Përkrah flamurit kombëtar shqiptar dhe flamurit të Ansamblit “TROJET”, nuk mungoi as flamuri zviceran. Ky ishte një mesazh domethënës, pasi shumica e valltarëve dhe të rinjve të ansamblit kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër, duke përfaqësuar me krenari njëkohësisht vendin ku jetojnë dhe rrënjët e tyre shqiptare. Ansambli “TROJET”, me seli në Winterthur, vazhdon prej më shumë se trembëdhjetë vitesh të jetë një ndër ambasadorët më të denjë të kulturës shqiptare në diasporën zvicerane.

Pjesëmarrja në Festivalin “Lahuta” ka një rëndësi të veçantë për ansamblin, pasi kjo ngjarje bashkon artistë, shoqata kulturore dhe komunitete shqiptare nga vende të ndryshme të botës, duke promovuar trashëgiminë, folklorin dhe identitetin kombëtar. Në skenën e festivalit, Ansambli “TROJET” prezantohet me një program të pasur artistik. Një vend të veçantë zë interpretimi i lahutarit Shaqir Dema (Baci Shaq), i cili solli një këngë epike me lahutë që u mirëprit me duartrokitje të gjata nga publiku. Interpretimi i tij riktheu atmosferën e odave shqiptare dhe përcolli fuqishëm traditën e lashtë të epikës shqiptare.

Screenshot

Po ashtu, publiku duartrokiti edhe paraqitjen e grupit të valltarëve të Ansamblit “TROJET”, të cilët interpretuan valle tradicionale shqiptare të përgatitura me përkushtim, duke prezantuar larminë dhe pasurinë e folklorit kombëtar. Me kostumet tradicionale dhe performancën artistike, të rinjtë e ansamblit dëshmuan edhe një herë se kultura shqiptare vazhdon të jetojë dhe të kultivohet me sukses edhe në brezat e lindur jashtë trojeve shqiptare. Për Ansamblin “TROJET”, ky nuk është vetëm një udhëtim artistik nga Zvicra drejt Amerikës, por edhe një takim me bashkatdhetarët që jetojnë në SHBA dhe një mundësi për të forcuar lidhjet kulturore mes shqiptarëve të diasporës. Përmes këngës, valleve, lahutës dhe kostumeve tradicionale, ansambli synon të përcjellë mesazhin se gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar mbeten ura më e fortë që bashkon shqiptarët kudo në botë.

HelveticALForum.ch do të sjellë në vazhdim një reportazh më të zgjeruar nga Detroiti, me atmosferën e festivalit, paraqitjen e Ansamblit “TROJET” dhe emocionet që po përjetojnë artistët shqiptarë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB