POSTIMET E FUNDIT

Ansambli TROJET fluturoi si shqiponjë në skenën e Amerikës mike – Një natë krenarie shqiptare në Festivalin “Lahuta 35” në Detroit

Përgatiti Dashnim Hebibi

Detroit, 03 korrik, 2026, SHBA – Ka mbrëmje që nuk maten me orët që zgjasin, por me emocionet që lënë pas. Një e tillë ishte nata e Festivalit Shqiptar “Lahuta 35”, ku mijëra shqiptarë të ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës u bënë një trup dhe një zemër për të festuar kulturën, traditën dhe identitetin kombëtar. Në mesin e artistëve që elektrizuan publikun ishte edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve TROJET nga Zvicra, i cili me paraqitjen e tij madhështore dëshmoi se arti shqiptar nuk njeh kufij. Që në momentin e hyrjes në paradën tradicionale, ku morën pjesë dhjetëra shoqata kulturore e artistike shqiptare nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora, artistët e TROJET u pritën me përzemërsi nga publiku. Flamujt kuqezi valëviteshin kudo, ndërsa brohoritjet e bashkatdhetarëve krijonin një atmosferë që të kujtonte festat më të mëdha kombëtare në trojet shqiptare. Kur erdhi radha e Ansamblit TROJET të ngjitej në skenë, të pranishmit në ambient të hapur e të përmbushur u mbuluan me një heshtje të ëmbël pritjeje. Të gjithë e dinin se do të shihnin dhe dëgjonin diçka që vinte nga zemra e traditës shqiptare.

Screenshot

Mbrëmja nisi me tingujt fisnikë të lahutës, instrumentit që ndër shekuj ka ruajtur kujtesën historike të shqiptarëve. Në skenë doli artisti i mirënjohur Baca Shaqë, i cili interpretoi me mjeshtëri këngën “Oj Malësi, o nderi i kombit” me lahutën e tij të njohur që e ka trashëgim nga babai e gjyshi.

Zëri i tij i fuqishëm, i ngrohtë dhe plot ndjenjë, i shoqëruar nga tingujt autentikë të lahutës, depërtoi thellë në zemrat e të pranishmëve. Ishte një interpretim që nuk dëgjohej vetëm me veshë, por përjetohej me shpirt. Për shumë bashkatdhetarë që prej dekadash jetojnë larg vendlindjes, ai interpretim ishte një rikthim emocional në trojet e tyre, në kullat, malet dhe historinë e popullit shqiptar. Tingujt e lahutës dhe zëri i jashtëzakonshëm i Bacës Shaqë ishin një freski e vërtetë për shpirtrat atdhetarë, duke zgjuar mall, krenari dhe lot gëzimi në sytë e shumë të pranishmëve. Duartrokitjet që pasuan ishin të gjata dhe të sinqerta. Ndjehej qartë respekti për artistin dhe për trashëgiminë kulturore që ai përfaqësonte. Pas këtij momenti emocionues, skena ndryshoi ritëm. Dritat u ndezën më fuqishëm dhe valltarët e Ansamblit TROJET u shfaqën me kostumet tradicionale shumëngjyrëshe, të punuara me kujdes, duke sjellë para publikut një pamje mbresëlënëse të kulturës shqiptare.

Interpretimi i “Suitës Dardane”, me koreografi të Suzana Drenicës dhe muzikë të Ylber Asllanajt, ishte një demonstrim i disiplinës artistike, elegancës dhe profesionalizmit. Çdo hap ishte i sinkronizuar me përpikëri, çdo lëvizje bartte simbolikën e traditës sonë dhe çdo buzëqeshje e valltarëve përcillte krenarinë për përkatësinë shqiptare.

Nën drejtimin artistik të Donjeta Gashit, Ensar Morinës dhe Leotrim Gashit, ansambli dëshmoi një nivel të lartë interpretimi, duke marrë duartrokitje të pandërprera nga publiku. Edhe pse temperatura ishte shumë e lartë dhe programi artistik zhvillohej deri në orët e vona të natës, artistët nuk humbën asnjë grimë energjie. Ata vallëzuan me pasion, përkushtim dhe dashuri, duke dhënë maksimumin në çdo moment të performancës. Ishte e qartë se për ta kjo nuk ishte vetëm një paraqitje artistike, por një mision për të prezantuar me dinjitet kulturën shqiptare para bashkatdhetarëve dhe miqve amerikanë.

Screenshot

Emocione të veçanta përjetoheshin edhe prapa skenës.

Me vështrimin e përqendruar në çdo detaj të organizimit dhe interpretimit, kryetari i Ansamblit TROJET, z. Zeqë Gashi, së bashku me bashkëshorten e tij, ndoqën me emocion çdo minutë të paraqitjes. Në fytyrat e tyre lexohej krenaria, por edhe përgjegjësia e madhe që mbart puna shumëvjeçare me artistët. Ata përjetonin çdo këngë, çdo valle dhe çdo duartrokitje sikur të ishin vetë në skenë. Emocionet ishin të dukshme, sepse pas çdo paraqitjeje të suksesshme fshihet një punë e palodhur, muaj të tërë provash, sakrificash dhe përkushtimi. Kur publiku shpërtheu në duartrokitje, gëzimi i tyre ishte i papërshkrueshëm, sepse ishte shpërblimi më i bukur për të gjithë angazhimin e bërë.

Pas performancës, shumë bashkatdhetarë iu afruan artistëve për t’i përgëzuar. Nuk munguan fotografitë, përqafimet dhe fjalët e mira. Organizatorë të festivalit, përfaqësues të shoqatave shqiptare dhe pjesëmarrës të shumtë vlerësuan nivelin artistik të Ansamblit TROJET, duke e cilësuar paraqitjen e tyre ndër më të spikaturat e mbrëmjes. Shumë prej tyre theksuan se interpretimi i Bacës Shaqë me lahutë ishte një nga momentet më emocionuese të festivalit, ndërsa valltarët u vlerësuan për profesionalizmin, disiplinën dhe paraqitjen dinjitoze në skenë. Për Ansamblin TROJET, kjo paraqitje nuk ishte thjesht një koncert. Ishte një mision kulturor, një urë lidhëse mes shqiptarëve të diasporës dhe vendlindjes, një dëshmi se tradita shqiptare vazhdon të jetojë fuqishëm edhe mijëra kilometra larg trojeve tona. Nga Zvicra, ku prej vitesh ansambli kultivon dhe promovon folklorin shqiptar, deri në Detroit, në zemër të diasporës shqiptare në Amerikë, artistët dëshmuan se kënga dhe vallja shqiptare mbeten ndër elementët më të fuqishëm që bashkojnë kombin. Ata nuk sollën vetëm një program artistik. Sollën histori, kujtime, identitet dhe krenari. Sollën Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet shqiptare në një skenë amerikane, ku flamuri kuqezi valëvitej me po aq krenari sa në vendlindje. Gjithashtu, revista themeltare “Ansambli Trojet” u mirëprit mirë nga të gjithë të pranishmit.

Screenshot

Paraqitja në Festivalin “Lahuta 35” ishte vetëm fillimi i rrugëtimit të Ansamblit TROJET në këtë turne artistik, por njëkohësisht edhe një dëshmi se arti shqiptar vazhdon të jetë ambasadori më i mirë i kombit tonë.

Sepse, pavarësisht largësisë gjeografike, kur në skenë jehojnë lahuta, kënga dhe vallet shqiptare, zemrat e shqiptarëve rrahin në të njëjtin ritëm. Dhe pikërisht këtë e dëshmoi Ansambli TROJET në Detroit, duke fluturuar si një shqiponjë krenare në qiellin e Amerikës mike, transmeton Komisioni për Informim i Ansamblit “Trojet”-Zvicër, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB