POSTIMET E FUNDIT

FSK dëshmon profesionalizëm në ushtrimin ndërinstitucional “Golden Sabre 2026”

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mori pjesë në ushtrimin e përbashkët ndërinstitucional “Golden Sabre 2026”, i zhvilluar në Kampin Vrellë nën udhëheqjen e KFOR-it, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e lartë të gatishmërisë dhe profesionalizmit të saj në menaxhimin e situatave emergjente.

Ky ushtrim u organizua për të testuar reagimin e institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe emergjencat përmes skenarëve realistë të menaxhimit të krizave. Qëllimi kryesor ishte forcimi i koordinimit, komunikimit dhe procedurave operacionale ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

FSK u përfaqësua nga njësitë e Gardës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, ekipet për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) dhe ekipet mjekësore, të cilat demonstruan aftësi të avancuara operacionale, disiplinë dhe gatishmëri të lartë gjatë realizimit të detyrave të tyre.

Në ushtrim morën pjesë edhe KFOR-i, Policia e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe EULEX-i, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në përballimin e sfidave të sigurisë dhe emergjencave.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vlerësoi se ushtrime të tilla janë thelbësore për rritjen e kapaciteteve operacionale, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe garantimin e një reagimi sa më efektiv në rast të situatave të jashtëzakonshme.

Pjesëmarrja e FSK-së në “Golden Sabre 2026” përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të forcës dhe në avancimin e partneritetit me institucionet vendore dhe aleatët ndërkombëtarë, në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB