Përfaqësues të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) morën pjesë në ceremoninë solemne të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut me rastin e “King’s Day”, një nga festat më të rëndësishme kombëtare holandeze. Pjesëmarrja erdhi me ftesë të ambasadores së Holandës, SH.S. Özlem Xhanel, duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve akademike dhe atyre diplomatike.
Delegacioni i UEJL-së përbëhej nga Rektori, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, Këshilltari i Rektorit, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, Këshilltarja për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi, si dhe Drejtori i Institutit “Maks van der Shtul”, Prof. Dr. Veli Kreci. Ceremonia mblodhi përfaqësues të lartë nga jeta politike, diplomatike, akademike dhe kulturore në vend, duke shërbyer si një platformë për shkëmbim idesh dhe forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar. Në këtë kontekst, pjesëmarrja e UEJL-së u vlerësua si një dëshmi e angazhimit të universitetit për të ndërtuar ura komunikimi me partnerë ndërkombëtarë dhe për të promovuar vlerat evropiane.
Përfaqësuesit e universitetit patën mundësinë të zhvillojnë takime me diplomatë dhe përfaqësues institucionesh, duke diskutuar për projekte të përbashkëta dhe mundësi të reja bashkëpunimi në fusha të ndryshme akademike dhe kërkimore. Me këtë pjesëmarrje, UEJL konfirmon rolin e tij si një institucion i orientuar drejt ndërkombëtarizimit dhe dialogut ndërkulturor, duke kontribuar aktivisht në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe evropian, njofton UEJL, përcjell helveticALForum.ch




