Një tjetër sukses i radhës për një intelektual nga Lugina e Preshevës, Prof. Asoc. Dr. Lulzim Rashiti, i cili, ndonëse veprimtarinë e tij akademike e zhvillon në Kosovë, në tempujt e dijes, nuk e harron kurrë prejardhjen dhe rrënjët e tij. Angazhimi i tij i ri akademik shënon një tjetër arritje në rrugëtimin e tij profesional dhe një kontribut të çmuar në fushën e arsimit të lartë. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, siç mëson helveticALforum.ch profesori ka bërë të ditur se do të angazhohet për një semestër si profesor vizitor në Kolegjin Universitar “Qiriazi” në Tiranë, në programin Master – Administrim Biznesi, ku do të ligjërojë lëndën “Marketingu Ndërkombëtar”.
Në njoftimin e tij, Prof. Asoc. Lulzim Rashiti ka shkruar:
“Një kapitull i ri në rrugëtimin tim akademik
Me kënaqësi dhe përgjegjësi të veçantë, për një semestër do të angazhohem si Profesor Vizitor në Kolegjin Universitar “Qiriazi” në Tiranë, në programin Master – Administrim Biznesi, ku do të ligjëroj lëndën “Marketingu Ndërkombëtar”.
Ky angazhim ka një domethënie të veçantë për mua, pasi lidhet me trashëgiminë e Motrave Qiriazi dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë e arsimit shqiptar.
Mirënjohje e veçantë për Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan për mundësinë e këtij shkëmbimi akademik, i cili krijon ura bashkëpunimi, ndarjeje të përvojave dhe zhvillimi profesional ndërmjet institucioneve tona.
Për një histori që nisi me Qiriazët. Për një traditë që vazhdon me dijen. Për një e ardhme që ndërtohet përmes arsimit.” Angazhimi i ri i Prof. Asoc. Dr. Lulzim Rashitit në Tiranë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave akademike, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe përcjelljen e dijes te gjeneratat e reja.
Veçanërisht domethënës është fakti se ky angazhim lidhet me trashëgiminë e Motrave Qiriazi, emrat e të cilave janë të lidhur ngushtë me historinë e arsimit dhe emancipimit kombëtar shqiptar. Për intelektualët shqiptarë, suksese të tilla janë dëshmi e rëndësisë së përkushtimit ndaj dijes, zhvillimit profesional dhe ruajtjes së lidhjeve me historinë e identitetin kombëtar. Urime Prof. Asoc. Dr. Lulzim Rashitit për këtë angazhim të ri akademik, me dëshirën që rrugëtimi i tij profesional të vazhdojë të sjellë suksese të tjera dhe të jetë një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë, transmeton helveticALforum.ch.










