Nga qyteti historik i “një mbi një dritareve” te kanionet e Osumit dhe vreshtat e kodrave përreth, Berati ofron një kombinim të rrallë të historisë, aventurës, gastronomisë dhe mikpritjes, duke u shndërruar në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët ndërkombëtarë, shkruan Pier Andrea Canei në një artikull të botuar në median italiane “Style Magazine”.
Mikpritje e ngrohtë, aventura në kanione dhe verëra të shkëlqyera: Mirë se vini në Berat, Shqipëri
Nga qyteti kala i Beratit, Shqipëria, dëshmon se është një destinacion jashtëzakonisht i pasur me mundësi për një udhëtim zbulues.
Berati, është një vend i trashëgimisë Botërore UNESCO-s, me “mijëra dritare” dhe një kala mesjetare të ruajtur në mënyrë të përsosur.
Një destinacion për aventura në natyrë, si rafting, çiklizëm malor, trekking, udhëtime me automjete fuoristradë.
Por, edhe një mekë e re për adhuruesit e gastronomisë së rafinuar, mes kodrave të mbjella me vreshta, bujtinave të zgjedhura dhe befasuese.
Qyteti kala i Beratit është një destinacion me stil jetese, i përshtatshëm për çdo buxhet, mes mundësive për pushime verore dhe një periudhe të gjallë të vjeljes së rrushit.
Ikona të vërteta
Për të shijuar një pamje dominuese mbi qytetin, është e domosdoshme ngjitja drejt kalasë, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, një labirint rrugicash të pjerrëta, xhamish dhe kishash ortodokse.
Kryesorja ndër to, e njohur si Kisha e Fjetjes së Shën Mërisë, sot strehon Muzeun Onufri, kushtuar artistit të lindur këtu, autor i disa prej ikonave më të jashtëzakonshme bizantine, që kanë mbijetuar gjatë viteve të regjimit komunist.
Pranë shpatit ku ngrihet qyteti, mund të qëndrohet në komoditet në një hotel të veçantë: “Villa Sophie”.
Vetëm për sportdashësit: Rafting në kanione dhe aktivitete të tjera
Për vizitorët më të prirur ndaj aventurës, Berati shërben si bazë për të eksploruar “Kanionin e Madh të Shqipërisë”.
I ndodhur rreth një orë e gjysmë me makinë larg, Kanioni i Osumit, lumi që përshkon Beratin, shtrihet mes mureve shkëmbore, ujëvarave dhe ujërave në ngjyrë smeraldi.
Gjatë verës ai eksplorohet përmes trekking-ut lumor, ndërsa në vjeshtë kalon në plan të parë rafting-u.
Udhërrëfyesit mund të gjenden përmes “Flow Albania” dhe agjencive të tjera.
Dhe më pas, një shëtitje: Bulevardi Republika
Është arteria më moderne e qytetit, kryesisht e kthyer në zonë këmbësorësh.
Këtu mund të përjetohet “xhiroja”, ose shëtitja tradicionale.
Nën hijen e rrapëve, jeta rrjedh ngadalë, e shoqëruar nga kafenetë, që gradualisht shndërrohen në ambiente për aperitivët e mbrëmjes.
Një ndalesë elegante mund të bëhet në tavolinat e lokalit “Shtepia e Kafes Gimi”, ndër vendet më të pëlqyera.
Është një vend ideal për një kafe turke ose për një gotë verë vendase, të shoqëruar me djathëra dhe ullinj.
Është gjithashtu një pikë e mirë vëzhgimi për të kapur atë frymë të një kryqëzimi historish, mes fytyrave me trashëgimi bizantine dhe të rinjve që udhëtojnë.
Berati ndodhet në Shqipërinë qendrore-jugore, rreth dy orë rrugë nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, dhe nga aeroporti i saj ndërkombëtar, i lidhur me fluturime direkte me Milanon, Romën dhe qytete të tjera.
Berati mund të arrihet si me autobusët e linjës, që qarkullojnë shpesh, ashtu edhe me transport privat.
Degustime të nivelit të lartë: “Kashmer” dhe verëra të tjera
Në zonat rurale të pjerrëta mes fshatrave të Malinatit dhe Malas Bregut, të mbushura me kultura bujqësore të kultivuara në tarraca – përfshirë edhe ullinj, pothuajse si një pjesë e Rivierës së Ligurisë – shtrihet një territor i njohur për verërat cilësore.
Aty kultivohen varietete autoktone të rrushit, ndër të cilat “Puls” dhe “Sheshi i Bardhë”.
Ia vlen të vizitohet “Çobo”, kantina e verës, drejtuesi i së cilës, pëlqen t’i shëtisë vizitorët mes vreshtave për të “provuar efektin e mikroklimës”.
Provoni: Verën e kuqe “Kashmer”
Mikpritje osmane: Ndoshta jo të gjithë janë të përgatitur për zërin e myezinit, i cili nga minarja e tij përcjell lutjet melodike në orët e para të agimit.
Por, në lagjen e Mangalemit, bërthama historike “e një mijë dritareve”, gjenden banesa tërheqëse të stilit tradicional, si “Bujtina Kodiket Guesthouse”, ku pronarja përgatit mëngjesin me fruta dhe vezë të freskëta, si dhe revaninë e shijshme, një ëmbëlsirë me mjaltë dhe arra.
Në mbrëmje vizitoni Urën e Goricës, drejt lagjes së krishterë, dhe aty mund të darkohet mirë në restorantin “Ajka”, në tarracën me pamje.
Një mbrëmje në Tiranë
Për ata që kalojnë përmes kryeqytetit, fillimisht mund të vizitohet Sheshi Skënderbej, më pas Muzeu Kombëtar dhe mozaiku i tij i madh i realizmit socialist.
Më pas, mund të shkoni në Bunk’art, ish-bunkerin qeveritar, tashmë muze, i cili përshkruhet si një vend disi i zymtë.
Për një pije freskuese mund të ndaloni në kafenenë e Operas dhe Baletit, ndërsa më pas, në Kalanë e Tiranës, mund të bëni pazare për punime artizanale dhe produkte të folklorit, si dhe të darkoni në “Shendeverë”, lokali i verëtarit nga Berati, ku mishi është një nga specialitetet.
Dhe kush ka më shumë kohë – mund të shkojë në det.
Rreth një orë me makinë larg ndodhet “Melissa”, një bar plazhi në Durrës, transmeton rtsh.










