Gjykata Speciale ka pranuar mbi 220 kërkesa për pjesëmarrje në galerinë e publikut, por vetëm 80 persona do të kenë mundësi ta ndjekin nga afër shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, më 16 shtator në Hagë.
Nga 80 ulëset në dispozicion, 40 janë rezervuar për familjarët e ngushtë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa 40 të tjera për përfaqësues të mediave. Në një përgjigje për RTK-në, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se numri i kërkesave ka qenë dukshëm më i madh sesa kapaciteti i galerisë së publikut. Për pasojë, pjesa tjetër e të interesuarve do të mund ta përcjellë shpalljen e vendimit vetëm përmes transmetimit zyrtar të Gjykatës. Nga mediat e akredituara, 17 janë ndërkombëtare, 16 nga Kosova, 4 nga Shqipëria dhe 3 nga Serbia.
Pritje për aktgjykim lirues
Teksa afrohet 16 shtatori, në Kosovë janë shtuar pritjet dhe diskutimet rreth vendimit përfundimtar. Njohës të çështjeve juridike shprehen optimistë se procesi mund të përfundojë me aktgjykim lirues për ish-krerët e UÇK-së.
Avokati Skender Musa tha se pret që gjykata të mos i shpallë fajtorë Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, duke theksuar megjithatë rëndësinë e ndikimeve politike në proceset ndërkombëtare.
“Mendoj që në asnjë formë gjykata nuk ka mundësi me i shpall fajtorë”, deklaroi Musa, duke shtuar se, nëse nuk do të ketë ndikime politike, 16 shtatori mund të shënojë një ditë feste në Kosovë.
Të njëjtat pritje i kanë edhe bashkëluftëtarët e ish-krerëve të UÇK-së. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, tha se presin lirimin e tyre nga të gjitha akuzat dhe që procesi të përfundojë në mënyrë të drejtë. Ai vlerësoi sakrificën e ish-krerëve të UÇK-së dhe tha se kjo periudhë ka qenë e rëndësishme për të dëshmuar rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për lirinë e vendit.
Kosova po pret
Me më pak se tri javë deri në shpalljen e aktgjykimit, në Kosovë kanë nisur edhe përgatitjet për pritjen e mundshme të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Në Prishtinë është paralajmëruar një marsh mbështetës me moton “Kosova po pret”, ndërsa vëmendja publike pritet të përqendrohet te Haga më 16 shtator. Shpallja e aktgjykimit pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe një ditë me rëndësi të veçantë për Kosovën në raport me drejtësinë ndërkombëtare, transmeton rtk.










