Pas gjashtë ditësh aktivitetesh letrare, edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë mbyllet sot. Një ditë më parë u ndanë çmimet tradicionale të panairit, me të cilat u vlerësuan autorë, përkthyes, studiues dhe vepra të spikatura të vitit.
Ceremonia u konsiderua një nga momentet kulmore të panairit, duke dëshmuar edhe një herë hapësirën e përbashkët të letrave shqipe.
Çmimi Special për Vepër Jetësore iu nda shkrimtarit Nazmi Rrahmani, i cili kujtoi edicionin e parë të panairit pas luftës, kur libri shqip u bashkua për herë të parë në Prishtinë. Ndërkaq, shkrimtari Ben Blushi u nderua me çmimin special për romanin “Jam mysliman”, vepër që sipas tij ka nxitur debate, por mbetet një krijim letrar dhe fiksional.
Çmimi Special për Autorin më të Mirë të Huaj iu nda shkrimtarit italiano-francez Francesco Rapazzini. Në kategorinë e letërsisë për fëmijë u vlerësua Valbona Banka me librin “Arratisje pa plan”, ndërsa çmimin për poezi e fitoi Naime Beqiraj për përmbledhjen “Mos i kallxo harrimit”.
Përkthyesja e vitit u shpall Albana Nexhipi-Lekaj për përkthimin e romanit “Bija italiane”, duke e cilësuar këtë vlerësim si një moment të rëndësishëm në karrierën e saj mbi 25-vjeçare.
Në kategorinë e prozës u vlerësuan Andreas Dushi për romanin “Droja” dhe Gazmend Krasniqi për veprën “Si shkruhet ky roman dashurie”. Ndërkaq, çmimi për studim, kritikë dhe ese iu nda Ben Andonit për librin “Shqipëria e letrave”.
Juria e përbërë nga Behar Gjoka, Majlinda Nana-Rama, Gani Bytyçi, Alketa Gashi-Fazliu dhe Marigona Kelmendi theksoi se përzgjedhja është bërë mbi bazën e cilësisë së veprave dhe ndikimit të autorëve në jetën letrare.
Panairi i sivjetmë ka mbledhur dhjetëra shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, duke sjellë mijëra tituj, promovime dhe takime me autorë. Aktiviteti mbyllet sot, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si ngjarja më e madhe e librit në Kosovë, transmeton rtk.




