Fshati Luzat i Tepelenës është kthyer në një hapësirë të artit bashkëkohor, duke mirëpritur 15 artistë nga 9 vende të ndryshme të botës në kuadër të “Luz Art”.
Artistë nga Shqipëria, Australia, Çekia, Hungaria, Italia, Kosova, Rumania, Siria dhe Ukraina kanë qëndruar në Luzat dhe Gjirokastër, ku janë njohur nga afër me historinë, traditat dhe kujtesën e komunitetit.
“Meqenëse Luzati nuk kishte çarë t’i ofronte ndryshe nga fshatrat e tjera vizitorëve, menduam çarë mund t’i ofroj një gjë të re. Ishte arti edhe e shpallëm si projekt që e quajtëm projektin fshat i artit. Pra, mikpritës i artit, dashamirës i artit dhe me banorët që folëm të gjithë ranë dakort, thanë hajde ta bëjmë”, tha organizatori Përparim Kalo.
Përvojat e mbledhura gjatë këtij qëndrimi janë sjellë përmes veprave të tyre artistike, duke i dhënë një dimension të ri historisë dhe identitetit të zonës.
“Ky është një aktivitet i rëndësishëm kulturor mendoj për Luzatin, por edhe për të gjithë jugun dhe për Shqipërinë, sepse këtu vijnë artistë nga gjithë vendet e Evropës dhe të Shqipërisë, të Kosovës. Patjetër secili nga këta artistët realizon një punë, e cila i mbetet ë fshatit Luzatë”, u shpreh regjisori Saimir Bajo.
Ekspozita është çelur në ambientet e shkollës “Seit Demiri”, e cila përkohësisht është shndërruar në një galeri të artit bashkëkohor.
Përmes “Luz Art”, arti ndërthuret me trashëgiminë dhe jetën e komunitetit, me synimin për të promovuar vlerat kulturore të Luzatit dhe për të rijetësuar memorien lokale përmes një gjuhe të re artistike, transmeton rtsh.










