Në kuadër të promovimit të kulturës dhe traditës shqiptare në diasporë, Shoqata Kulturore “Sharri” siç njofton helveticALForum.ch mori pjesë me shumë sukses në aktivitetin kulturor “Kultur Bühne”, të organizuar nga Komuna e Amriswilit më 3 maj 2026. Ky aktivitet mblodhi komunitete të ndryshme kulturore dhe artistike, duke krijuar një atmosferë të veçantë bashkëpunimi, respekti dhe promovimi të diversitetit kulturor.
Pjesëmarrja e Shoqatës Kulturore “Sharri” u mirëprit ngrohtësisht nga organizatorët dhe publiku i pranishëm. Me një paraqitje dinjitoze artistike, valltarët dhe valltaret e shoqatës sollën në skenë bukurinë e valleve tradicionale shqiptare, duke interpretuar me përkushtim e profesionalizëm koreografi që pasqyruan shpirtin, historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Të veshur me kostume tradicionale shumëngjyrëshe dhe autentike shqiptare, anëtarët e shoqatës tërhoqën vëmendjen e të gjithë të pranishmëve. Eleganca në lëvizje, harmonia artistike dhe energjia pozitive që përcollën gjatë performancës bënë që publiku t’i duartrokiste me admirim dhe entuziazëm. Shumë vizitorë shprehën interesim të veçantë për kulturën shqiptare, duke vlerësuar ruajtjen dhe promovimin e traditave tona në një ambient ndërkombëtar.

Atmosfera festive dhe moti i mrekullueshëm krijuan kushte ideale që anëtarët e Shoqatës Kulturore “Sharri” të realizonin edhe fotografi artistike me veshjet kombëtare shqiptare. Këto momente jo vetëm që zbukuruan aktivitetin, por edhe shërbyen si dëshmi e krenarisë dhe dashurisë për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Nga Shoqata Kulturore “Sharri” u shpreh mirënjohje e veçantë për Komunën e Amriswilit për ftesën, organizimin dhe mikpritjen e ngrohtë. Një falënderim i posaçëm iu drejtua edhe Mujdin Fazliut për koordinimin dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm në realizimin e kësaj pjesëmarrjeje të suksesshme.

Gjithashtu, drejtuesit e shoqatës shprehën falënderime të sinqerta për të gjithë valltarët dhe valltaret, të cilët me punë, disiplinë dhe dashuri për artin vazhdojnë të përfaqësojnë denjësisht kulturën shqiptare në aktivitete të ndryshme kulturore brenda dhe jashtë vendit.
Shoqata Kulturore “Sharri” mbetet një ambasadore aktive e kulturës shqiptare në diasporë, duke dëshmuar se arti dhe tradita janë ura të fuqishme që lidhin popujt dhe ruajnë identitetin kombëtar brez pas brezi. Me pjesëmarrje të tilla, shoqata vazhdon misionin e saj për ta mbajtur gjallë folklorin shqiptar dhe për ta prezantuar atë me krenari para botës, transmeton Shoqata Sharri në Zvicër, përcjell helveticALForum.ch.




