Kantoni i Zugut nuk është më kantoni më tërheqës për kompanitë sa i përket tatimeve. Sipas një analize të publikuar nga kompania këshilluese PwC Switzerland, tani vendin e parë e mban kantoni i Luzernit, i cili ka ulur edhe më shumë normën e tatimit për ndërmarrjet, transmeton 20min.ch. Për shumë vite me radhë, Zugu është konsideruar si “parajsa tatimore” e Zvicrës. Falë tatimeve shumë të ulëta, ky kanton ka tërhequr kompani të mëdha ndërkombëtare, investitorë dhe persona shumë të pasur. Të ardhurat e larta kanë bërë që kantoni të ketë një gjendje financiare tepër të mirë. Madje, Zugu është i vetmi kanton në Zvicër që ka arritur të ulë edhe primet e sigurimit shëndetësor për banorët e tij. Megjithatë, këtë vit Luzerni ka bërë një hap më të madh në garën tatimore. Kantoni uli normën efektive të tatimit për kompanitë nga 11.91 për qind në 11.66 për qind. Ndërkohë, edhe Zugu bëri një ulje të vogël të tatimeve, nga 11.85 për qind në 11.71 për qind, por kjo nuk mjaftoi për të ruajtur vendin e parë. Kjo do të thotë se Luzerni tani konsiderohet kantoni më i favorshëm në Zvicër për bizneset dhe investitorët.
Sidoqoftë, e gjithë rajoni i Zvicrës Qendrore mbetet shumë konkurrues dhe tërheqës për kompanitë për shkak të politikave të favorshme fiskale. Në anën tjetër të renditjes qëndrojnë kantonet me barrën më të lartë tatimore. Kantoni i Bernës ka një normë efektive tatimi prej 20.54 për qind, pothuajse dyfish më e lartë se ajo e Luzernit. Për këtë arsye, Berna konsiderohet më pak konkurruese në aspektin e tatimeve për bizneset. Edhe kantoni i Cyrihut renditet ndër kantonet me tatimet më të larta për ndërmarrjet. Këtë vit, Cyrihu uli lehtë normën tatimore nga 19.61 për qind në 19.47 për qind, por mbetet ende ndër kantonet më të shtrenjta për kompanitë.
Megjithatë, edhe kantonet zvicerane me tatimet më të larta mbeten konkurruese në krahasim me vendet e tjera evropiane. Sipas analizës, në të gjithë Bashkimin Evropian vetëm Hungaria ka një normë më të ulët tatimi për kompanitë sesa Luzerni, me vetëm 9 për qind.
Rolf Röllin, partner për taksat korporative në PwC Switzerland, theksoi se Zvicra vazhdon të mbetet një vend shumë tërheqës për kompanitë ndërkombëtare, pavarësisht reformave globale tatimore. Sipas tij, kjo ndodh falë normave të moderuara të tatimeve, stabilitetit ekonomi dhe sigurisë që ofron vendi për bizneset dhe investitorët, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.




