Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” N.Y. mori pjesë në aktivitetin multikulturor të organizuar nga shkolla Bay Shore, New York. Koncerti festiv bëri bashkë nxënës, mësues dhe prindër, të cilët shijuan këtë festë të bukur me motive kombëtare e ndërkombëtare, duke sjellë në Amerikë muzikë, valle dhe ushqime tradicionale duke surprizuar të gjithë pjesëmarrësit. Një përfaqësim dinjitoz i vlerave më të mira të shqiptarisë në emigracion.
Fillimisht, nxënësit prezantuan në sfilatë veshjet tradicionale të origjinës së prindërve ose gjyshërve të tyre, ku nxënësja jonë, Warda Bilali, prezantoi veshjen popullore shqiptare. Më pas, aktiviteti vijoi me nxënësit që performuan me muzikë, këngë e valle tradicionale, duke përfaqësuar shtete të ndryshme pjesëmarrëse në festival. Shkolla jonë u përfaqësua denjësisht me vallen popullore “Vallja e Pavarësisë”, ku nxënësit e kësaj shkolle—Klea, Alisja, Emeli, Wendi, Ajla, Warda dhe Kamila—përformuan dhe valëvitën flamurin kombëtar shqiptar së bashku me flamurin e Kosovës, një krenari, kënaqësi dhe frymëzim atdhetar.
Përformanca e nxënësve të shkollës “Gjergj Fishta” mori duartrokitje dhe vlerësime maksimale nga të gjithë të pranishmit. Aktiviteti vijoi me përfaqësimin e kombësive të ndryshme.
Pas koncertit, të pranishmit shijuan edhe ushqime tradicionale të origjinës, të përgatitura nga prindërit e nxënësve pjesëmarrës. Pas aktivitetit muzikor, prindërit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” kishin organizuar katering me ushqime të ndryshme, duke përfaqësuar origjinën e kuzhinës tradicionale shqiptare dhe vlera identitare të kulinarisë shqiptare.
Vatranët e Long Island u përfaqësuan me ushqime tradicionale shqiptare: byrek, fli, qofte, sheqerpare, shëndetlie etj.
Një aktivitet shumë i bukur që bashkon nxënësit e lindur dhe rritur në Amerikë, por që janë të lirë të organizojnë dhe të përformojnë duke ruajtur vlerat dhe traditat e origjinës së tyre. Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” që prej themelimit të saj është kthyer në një pikë referencë atdhetare e kulturore për komunitetin shqiptar në Long Island duke i bashkuar shqiptarët dhe duke ruajtur e promovuar gjuhën shqipe identitetin kulturor, historik e kombëtar shqiptar.
Shkolla “Gjergj Fishta” N.Y. /GDielli




