Lipovljan, 29 gusht 2026 – Shoqata Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija” ishte pjesë e një prej manifestimeve më të rëndësishme kulturore në Kroaci, “Lipovljanski susreti 2026”, duke sjellë në këtë ngjarje një pjesë të pasur të trashëgimisë, traditave dhe kulturës shqiptare. Manifestimi, i cili mblodhi përfaqësues të komuniteteve të ndryshme dhe pakicave kombëtare, u shndërrua edhe këtë vit në një festë të vërtetë të diversitetit kulturor. Përmes këngës, vallëzimit, muzikës, veshjeve tradicionale dhe elementeve të trashëgimisë, pjesëmarrësit prezantuan veçantitë e kulturave të tyre dhe dëshmuan se diversiteti është një vlerë që bashkon njerëzit.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Shoqata Kulturore Shqiptare “Shkëndija”, e cila me krenari përfaqësoi komunitetin shqiptar dhe kulturën shqiptare në këtë manifestim. Paraqitja e shoqatës ishte një mundësi e veçantë për të prezantuar traditat shqiptare dhe për t’i sjellë ato pranë publikut kroat dhe komuniteteve të tjera pjesëmarrëse.
Një vlerë të veçantë në këtë pjesëmarrje pati edhe paraqitja e seniorëve të shoqatës, të cilët me përkushtim dhe dinjitet përfaqësuan kulturën shqiptare. Pjesëmarrja e tyre dëshmoi edhe një herë se ruajtja dhe përcjellja e traditave kulturore nuk njeh kufij moshe dhe se trashëgimia kulturore mbetet një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet brezave.
Për “Shkëndijën”, pjesëmarrja në “Lipovljanski susreti” ishte më shumë se një paraqitje kulturore. Ishte një mundësi për të afirmuar identitetin shqiptar, për të ndarë me të tjerët pasurinë e traditave tona dhe për të kontribuar në një atmosferë të bashkëjetesës, respektit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve.
Manifestime të tilla kanë një rëndësi të veçantë për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore të popujve dhe pakicave kombëtare. Ato krijojnë hapësirë për njohje dhe bashkëpunim, duke dëshmuar se kultura është një nga mënyrat më të fuqishme për të afruar njerëzit.

Shoqata “Shkëndija” shpreh mirënjohjen e saj për organizatorët e “Lipovljanski susreti” për ftesën dhe mikpritjen, ndërsa falënderon në mënyrë të veçantë seniorët e shoqatës për paraqitjen e tyre të bukur dhe përfaqësimin dinjitoz të kulturës shqiptare. Me këngë, traditë dhe kulturë, “Shkëndija” vazhdon të jetë një zë i rëndësishëm i kulturës shqiptare në Kroaci, njofton Shoqata Shkëndija, përcjell helveticALforum.ch










