Përmes shfaqjes historike “Nëntorët e lirisë”, nxënësit shqiptarë nga Londra do të përcjellin në skenën ndërkombëtare historinë e Pavarësisë së Shqipërisë dhe vlerat e trashëgimisë sonë kombëtare.
Nxënësit e Shkollës Shqipe “Iliria” në Londër siç mëson helveticALforum.ch do të përfaqësojnë shkollën e tyre në Festivalin Ndërkombëtar Teatror të Fëmijëve në Gjuhën Shqipe, që do të mbahet në Zagreb të Kroacisë. Kjo pjesëmarrje përbën një mundësi të veçantë për fëmijët shqiptarë që, përmes artit skenik, të shprehin talentin e tyre dhe të promovojnë gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare. Në këtë festival, nxënësit do të prezantojnë shfaqjen historike “Nëntorët e lirisë”, një vepër që sjell në vëmendje një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare: shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Përmes interpretimit artistik, fëmijët do të kenë mundësinë të rikthejnë në skenë emocionet dhe rëndësinë historike të këtij akti madhor, duke përcjellë te publiku mesazhe për lirinë, atdhedashurinë, sakrificën dhe identitetin kombëtar. Pjesëmarrja e Shkollës Shqipe “Iliria” në këtë veprimtari ndërkombëtare dëshmon rëndësinë e shkollave shqipe në diasporë për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj. Përtej mësimit të gjuhës, këto shkolla luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin kulturor dhe kombëtar të fëmijëve, duke i ndihmuar ata të njohin historinë, traditat dhe rrënjët e tyre.
Për nxënësit, kjo përvojë do të jetë jo vetëm një prezantim artistik, por edhe një mundësi për të krijuar lidhje me bashkëmoshatarë shqiptarë nga vende të ndryshme dhe për të dëshmuar se gjuha shqipe dhe kultura kombëtare vazhdojnë të jetojnë e të zhvillohen edhe larg atdheut.
Përfaqësimi në Zagreb është një moment krenarie për shkollën, nxënësit, mësuesit dhe prindërit, të cilët me përkushtimin e tyre kontribuojnë në ruajtjen e identitetit shqiptar në mërgatë.
Shfaqja “Nëntorët e lirisë” pritet të sjellë në skenë emocionet e historisë sonë dhe të dëshmojë se fëmijët shqiptarë janë bartës të gjuhës, kujtesës dhe trashëgimisë kombëtare. Suksese nxënësve të Shkollës Shqipe “Iliria” në Londër! Qoftë kjo pjesëmarrje një përvojë e paharrueshme artistike dhe një tjetër dëshmi e dashurisë së brezit të ri për gjuhën shqipe, historinë dhe atdheun e të parëve të tyre, transmeton Shkolla Shqipe Iliria në Londër, përcjell helveticALforum.ch.
Përgatiti Dashnim Hebibi










