
Nga Besnik HEBIBI
Pejë, 26 shtator 2026 – Libri “Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, i cili sjell rrëfimin dhe përvojën e Ambasadorit të RMV në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, Rexhep Demiri përgjatë rrugëtimit të tij diplomatik, po vazhdon të zgjojë interesim të madh në mesin e lexuesve shqiptarë në diasporë. Botimi, me bashkautorë PhD Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, me redaktor Jeton Arifi, është realizuar teknikisht nga shtëpia botuese “Libri Im” në Pejë, ndërsa editor është Berat Thaçi.

Libri tashmë ka gjetur rrugën drejt shumë figurave të njohura të jetës diplomatike, akademike dhe kulturore në Zvicër, Gjermani, Austri, Itali dhe në vende të tjera të Evropës, ndërsa interesimi për të është shtrirë edhe përtej kontinentit, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vëmendje e veçantë i kushtohet kërkesës nga mërgata shqiptare, e cila po tregon interes për ta pasur këtë botim në bibliotekat personale dhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Shpërndarja e librit në disa shtete evropiane dhe në SHBA ka bërë që ai të arrijë te një numër i konsiderueshëm lexuesish shqiptarë. Interesimi për botimin ka vijuar edhe pas shpërndarjes së tij në vende të ndryshme. Për shkak të kërkesës, në muajin gusht është realizuar edhe ribotimi i librit, duke i hapur rrugë një shpërndarjeje të mëtejshme.

“Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik” pritet që së shpejti të prezantohet edhe përpara lexuesve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku janë planifikuar promovime të librit. Përmes përvojës së një diplomati dhe dëshmive të përfshira në të, botimi synon të sjellë për lexuesin një pasqyrë të një periudhe të caktuar të jetës diplomatike, duke ndërthurur përvojat personale me zhvillimet politike dhe shoqërore të kohës. Fakti që libri po kërkohet nga komunitetet shqiptare në vende të ndryshme të Evropës dhe në SHBA tregon interesimin e diasporës për botime që dokumentojnë përvojat e personaliteteve shqiptare në diplomaci dhe jetën publike. Pas promovimeve në Itali dhe shpërndarjes në vende të ndryshme, vëmendja tani pritet të përqendrohet edhe në aktivitetet promovuese në hapësirën shqiptare, ku libri do të jetë më pranë lexuesve në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.










