BallinaAtdheuLugina e Preshevës, për herë të parë pjesë e delegacionit shtetëror të...

Lugina e Preshevës, për herë të parë pjesë e delegacionit shtetëror të Kosovës

-

Nga Ragmi Mustafi, Prishtinë

Për herë të parë në histori, përfaqësuesit e Luginës ishin pjesë e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Prania e deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe e kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani i dha këtij angazhimi peshën e përfaqësimit të drejtpërdrejtë politik dhe institucional.

Lugina e Preshevës ka qenë temë në çdo takim të Kryeministrit Albin Kurti me partnerët ndërkombëtarë. Këtë herë, ai e çoi këtë angazhim një hap më tej: krahas ngritjes së çështjes së Luginës, mundësoi praninë e përfaqësuesve të saj në delegacionin shtetëror. Shqetësimet që Kryeministri i ka përcjellë vazhdimisht morën edhe zërin e atyre që përballen përditë me pasojat e diskriminimit dhe mbajnë përgjegjësinë demokratike për t’i përfaqësuar qytetarët.

Në diplomaci, kjo prani ka rëndësi. Pas termit “pasivizim” qëndron një qytetar të cilit i cenohen të drejtat. Pas mospërfaqësimit në institucione qëndrojnë njerëz të përjashtuar nga mundësitë dhe vendimmarrja. Pas transfereve të bllokuar mund të mbetet pezull programe, e posaçërisht ai arsimor apo edhe një angazhim për avokim. Prania e përfaqësuesve të Luginës krijon mundësinë që këto pasoja të shpjegohen drejtpërdrejt dhe që kërkesat për zgjidhje të marrin trajtë konkrete.

Shaip Kamberi e sjell këtë përvojë nga Parlamenti i Serbisë, ku përfaqëson i vetëm zërin shqiptar. Ardita Sinani e sjell nga qeverisja lokale, aty ku vendimet e pushtetit qendror prekin jetën e përditshme të qytetarëve. Pjesëmarrja e tyre i jep avokimit njohjen e drejtpërdrejtë të problemeve dhe legjitimitetin e përfaqësimit të zgjedhur.

Ky hap merr rëndësi të veçantë përballë bllokimit të mjeteve të destinuara për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Një bllokadë financiare prek shumë më tepër se një llogari bankare. Ajo kufizon mundësinë për të dokumentuar shkeljet, për të përgatitur materiale, për të ndërtuar kontakte dhe për të qenë i pranishëm në takimet ndërkombëtare. Pasoja është e qartë, sa më pak mundësi për pjesëmarrje, aq më i vështirë bëhet avokimi.

Përfshirja në delegacionin e Kosovës mundësoi që kjo pengesë të mos e privonte Luginën nga prania gjatë javës më të rëndësishme të diplomacisë shumëpalëshe. Kryeministri Kurti i dha mbështetjes politike një formë konkrete, hapësirë për përfaqësim dhe mundësi për t’u dëgjuar. Çështja e Luginës u ngrit me praninë e vetë përfaqësuesve të saj, në kuadër të angazhimit diplomatik të Republikës së Kosovës.

E njëjta këmbëngulje shihet te mbështetja për tekstet mësimore në gjuhën shqipe. Vitin e kaluar, Serbia u përpoq të pengonte financimin e 35.448 teksteve për 3.650 nxënës. Sivjet prap, përmes ministrit të saj Demo Beriša, bllokoi sërish ardhjen e mjeteve përmes rrugës së rregullt financiare për 37.429 tekste për 3.686 nxënës. Shifrat ndryshojnë, por nevoja mbetet po ajo, çdo fëmijë duhet ta nisë vitin shkollor me librat në gjuhën e vet.

Çfarë fiton Serbia duke e vështirësuar këtë të drejtë? Çfarë zgjidh duke vendosur pengesa mes një nxënësi dhe librit të tij? Fëmijët nuk mund të presin që marrëdhëniet politike të përmirësohen për të vazhduar mësimin. Pikërisht për këtë arsye, këmbëngulja e Kryeministrit Kurti për mbështetjen e tyre ka vlerë që matet në jetën e përditshme të mijëra familjeve.

Librat dhe diplomacia lidhen te e njëjta përgjegjësi. Mbështetja për tekstet i përgjigjet një nevoje të menjëhershme; avokimi ndërkombëtar kërkon të ndryshojë kushtet që e bëjnë përmbushjen e saj kaq të vështirë. Përkujdesja për Luginën bëhet më e plotë kur ndihma për qytetarët shoqërohet me kërkesën për përgjegjësi ndaj atyre që ua pengojnë të drejtat.

Për herë të parë, Lugina ishte pjesë e delegacionit shtetëror të Kosovës. Një çështje që Kryeministri Kurti e kishte mbajtur në tryezat diplomatike fitoi edhe praninë e përfaqësuesve të saj. Tani, përgjegjësia është që kjo derë e hapur të mbetet e tillë. Që bllokadat të mos prodhojnë heshtje. Dhe që shqiptarët e Luginës të kenë hapësirën që u takon për të folur e për të kërkuar të drejtat e tyre kombëtare.

Beogradi mund t’i bllokojë mjetet financiare për Luginën e Preshevës. Por zëri i saj mbërriti në New York.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, libri që po...

0
Nga Besnik HEBIBI Pejë, 26 shtator 2026 – Libri “Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, i cili sjell rrëfimin dhe përvojën e Ambasadorit të...