Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026. Dokumenti evidenton rritjen ekonomike, rekordet në investimet e huaja dhe përmirësimin e disa treguesve financiarë, por paralajmëron se korrupsioni, krimi i organizuar, pasiguria mbi pronësinë, emigracioni dhe ekonomia informale vazhdojnë të jenë pengesa për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Shqipëria vijon të regjistrojë rritje ekonomike dhe të tërheqë më shumë investime të huaja, por përballë këtij progresi mbeten një sërë problemesh strukturore dhe institucionale. Kështu vlerëson Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e vitit 2026 për klimën e investimeve në Shqipëri, ku analizohen zhvillimet ekonomike, investimet e huaja, sistemi financiar, sundimi i ligjit dhe faktorët politikë e të sigurisë. Sipas raportit, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% gjatë vitit 2025, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe sektori i pasurive të paluajtshme. Produkti i Brendshëm Bruto vlerësohet në rreth 30 miliardë dollarë, ndërsa inflacioni zbriti në 2.2%, duke mbetur brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Borxhi publik në rënie
Një nga zhvillimet pozitive të evidentuara në raport është ulja e borxhit publik. Raporti borxh/PBB ka zbritur nga 75% në vitin 2021 në 52.6% në vitin 2025. Sipas dokumentit, kjo është ndikuar nga konsolidimi fiskal, politika monetare, forcimi i monedhës dhe rritja e të ardhurave tatimore. Megjithatë, raporti nënvizon se Shqipëria vijon të ketë një nivel të ardhurash për frymë rreth një të katërtën e mesatares së Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë, ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj problemeve si korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, konkurrenca e deformuar, mungesa e fuqisë punëtore, produktiviteti i ulët dhe ekonomia informale.
Investimet e huaja arrijnë rekord
Një nga treguesit më të rëndësishëm të raportit është rritja e investimeve të huaja direkte. Sipas të dhënave paraprake të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte arritën në 1.84 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, niveli më i lartë i regjistruar. Stoku total i investimeve të huaja direkte arriti në rreth 17 miliardë dollarë, ose 57% më shumë krahasuar me vitin 2021.
Sektorët që tërhoqën pjesën më të madhe të investimeve ishin:
- Pasuritë e paluajtshme – 34%;
- Shërbimet financiare – 18%;
- Industritë nxjerrëse – 10%;
- Tregtia me shumicë dhe pakicë – 10%.
Holanda, Italia, Turqia, Kosova dhe Austria renditen ndër burimet kryesore të investimeve të huaja gjatë vitit 2025. Raporti vëren gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e projekteve të miratuara si investime strategjike është përqendruar në sektorin e turizmit dhe është financuar kryesisht nga kompani vendase.
Pronat, një nga shqetësimet kryesore
Çështja e pronësisë mbetet një prej problematikave më të rëndësishme për investitorët në Shqipëri. Departamenti Amerikan i Shtetit evidenton vështirësi në regjistrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, duke përmendur probleme me titujt e pronësisë, transparencën, procedurat administrative dhe korrupsionin. Sipas të dhënave të cituara nga raporti i progresit të BE-së për vitin 2025, 91% e tokës është e regjistruar, por procesi i digjitalizimit mbetet pas. Vetëm 43% e titujve të pronësisë, 69% e dokumenteve mbështetëse dhe 10% e hartave kadastrale janë digjitalizuar. Raporti thekson gjithashtu se rreth 80% e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë verifikim për të garantuar saktësinë e tyre. Ndërkohë, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje vijon. Nga rreth 400 mijë aplikime, janë legalizuar afërsisht 64%, ndërsa objektivi i autoriteteve është përfundimi i procesit deri në fund të vitit 2028.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfida
Raporti amerikan i rendit korrupsionin dhe krimin e organizuar ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në klimën e biznesit dhe investimeve. Në dokument vlerësohen reformat në drejtësi dhe krijimi i strukturave të specializuara, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në, të cilat kanë hetuar dhe ndjekur penalisht zyrtarë të nivelit të lartë dhe persona të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar. Raporti ndalet edhe te procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë. Sipas dokumentit, më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan procesit janë shkarkuar për pasuri të pajustifikuara, lidhje me krimin e organizuar ose janë larguar nga detyra përpara përfundimit të procesit. Sipas vlerësimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, forcimi i mëtejshëm i strukturave kundër korrupsionit dhe krijimi i një historie të qëndrueshme me dënime për korrupsionin e nivelit të lartë do të mund të ndikonte pozitivisht në klimën e investimeve.
Kreditimi rritet, por tregu financiar mbetet i cekët
Edhe sistemi bankar paraqet disa tregues pozitivë. Kreditimi i ekonomisë arriti rreth 10.7 miliardë dollarë në fund të vitit 2025, duke shënuar rritje prej 13.4% krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën kohë, kreditë me probleme ranë në 3.8%, nga 4.17% në vitin 2024. Megjithatë, raporti vëren se tregu financiar shqiptar mbetet relativisht i cekët. Mungesa e një tregu funksional të aksioneve bën që sektori bankar të mbetet kanali kryesor i financimit për bizneset. Bursa e Tiranës vijon të mos jetë funksionale, ndërsa investimet portofol mbeten të kufizuara kryesisht në aksione kompanish, obligacione dhe pasuri të paluajtshme.
Emigracioni krijon mungesë punëtorësh
Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër sfidë e evidentuar në raport. Problemi është veçanërisht i dukshëm në sektorin e turizmit, ku kompanitë shqiptare kanë nisur të rekrutojnë punonjës nga vendet e Azisë Juglindore për të plotësuar vendet vakante. Në fund të vitit 2024, në Shqipëri kishte 11,908 shtetas të huaj me leje pune, rreth 10% më shumë se një vit më parë. Raporti e lidh mungesën e punëtorëve edhe me emigracionin dhe tkurrjen e fuqisë punëtore vendase.
Shqipëria avancon në procesin e integrimit europian
Në raport pasqyrohet edhe progresi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Shqipëria është anëtare e NATO-s që prej vitit 2009 dhe e Organizatës Botërore të Tregtisë që prej vitit 2000. Negociatat për anëtarësimin në BE nisën në vitin 2022, ndërsa procesi i screening-ut përfundoi në vitin 2023. Sipas raportit, deri në nëntor 2025 Shqipëria kishte hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave dhe qeveria shqiptare synon ta përfundojë procesin e anëtarësimit deri në vitin 2030. Në aspektin politik dhe të sigurisë, dokumenti e përshkruan situatën në vend si përgjithësisht të qëndrueshme. Zgjedhjet parlamentare të majit 2025 u zhvilluan në mënyrë paqësore, ndërsa Shqipëria vijon të mbështesë stabilitetin në rajon.
Ekonomi në rritje, por me sfida të forta
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit paraqet një panoramë të përzier të ekonomisë shqiptare. Nga njëra anë, Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike, ulje të borxhit publik, rritje të investimeve të huaja dhe përmirësim të disa treguesve të sistemit financiar. Nga ana tjetër, korrupsioni, krimi i organizuar, pasiguria në çështjet e pronësisë, emigracioni, mungesa e fuqisë punëtore, ekonomia informale dhe produktiviteti i ulët vazhdojnë të konsiderohen faktorë që ndikojnë në klimën e biznesit. Sipas raportit, përmirësimi i zbatimit të ligjit, transparencës, sistemit të pronave dhe luftës kundër korrupsionit mbetet i rëndësishëm për rritjen e besimit të investitorëve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, transmeton gtema.










