Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar gjatë javës një agjendë të ngjeshur diplomatike në Paris dhe Dublin, ku është takuar me personalitete të rëndësishme shtetërore, politike dhe ndërkombëtare, duke përfshirë presidentë, kryeministra, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare. Gjatë qëndrimit në Paris, kryeqytetin francez, Kurti ka zhvilluar dy takime në Pallatin Élysée, ku është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, si dhe nga presidenti i Senatit francez, Gérard Larcher. Në kuadër të vizitës, ai është takuar edhe me përfaqësues të Asamblesë Kombëtare, kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire, kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, si dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sørensen.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës së tij në Paris ishte pjesëmarrja në Forumin e Paqes, ku Kurti ishte pjesë e panelit me temën “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, kushtuar qëndrueshmërisë së paqes dhe rindërtimit të shoqërive pas luftërave.
Po ashtu, kryeministri vizitoi STATION F, një nga qendrat e njohura të teknologjisë dhe inovacionit, ku u njoh me zhvillimet në fushën e ndërmarrësisë dhe teknologjisë. Ai zhvilloi takime edhe me përfaqësues të mërgatës shqiptare në Francë.
Në kuadër të dimensionit akademik të vizitës, Kurti mbajti një fjalë dhe bashkëbisedoi me studentë në Paris School of International Affairs – Sciences Po. Ai gjithashtu u takua me profesorin Philippe Aghion, fituesin e Çmimit Nobel për Ekonomi të vitit 2025.
Ndërkaq, në Dublin të Irlandës, Kurti mori pjesë në Samitin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku u prit nga kryeministri irlandez, Micheál Martin, dhe mori pjesë në tryezën e rrumbullakët së bashku me liderët e tjerë pjesëmarrës.
Në margjinat e samitit, ai zhvilloi takime dhe bisedime me ministren e Jashtme dhe të Tregtisë së Irlandës, Helen McEntee, sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, kryeministrin e Hungarisë, Péter Magyar, kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, si dhe presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin.
Në Dublin, Kurti u takua gjithashtu me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ndërsa dha një intervistë për gazetën prestigjioze irlandeze “The Irish Times”.
Agjenda e tij përfshiu edhe vizitën në Parlamentin e Republikës së Irlandës (Houses of the Oireachtas), ku delegacioni u prit nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian. Vizita u përmbyll me një takim, fjalë dhe diskutim në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA).
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka ndarë përmbledhjen e aktiviteteve të zhvilluara në të dyja kryeqytetet, duke vënë në pah takimet diplomatike, pjesëmarrjen në forume ndërkombëtare dhe bashkëbisedimet me përfaqësues të institucioneve, akademisë dhe mërgatës.
Vizitat në Paris dhe Dublin përbëjnë një tjetër angazhim të rëndësishëm të kryeministrit kosovar në arenën ndërkombëtare, në kuadër të komunikimit dhe bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe më gjerë, transmeton rtk.










