Nga Tirana në Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Rrogozhinë, projektet e reja të ndërtimit përfshijnë godina banimi, hoteleri dhe struktura multifunksionale që arrijnë deri në 43 kate mbi tokë. Lista përfshin disa prej projekteve më të larta të miratuara në zona të ndryshme të vendit.
Ndërtimet e larta po vijojnë të shtojnë praninë e tyre në horizontin urban të Shqipërisë, veçanërisht në Tiranë dhe në qytetet bregdetare. Lejet e reja të ndërtimit përfshijnë projekte me funksione të ndryshme, nga rezidencat dhe hotelet, deri te komplekset multifunksionale me hapësira shërbimi. Disa prej tyre parashikojnë ndërtesa mbi 20 kate, ndërsa projekti më i lartë i listuar arrin në 43 kate mbi tokë.
Projektet më të larta në Tiranë
Një nga projektet që spikat për lartësinë është Garda Tower, e konceptuar si godinë për banim, hoteleri dhe shërbime, me 43 kate mbi tokë. Në listë përfshihet edhe projekti M-21, një objekt për shërbime dhe banim që parashikohet të ketë 26 kate mbi tokë. Po në Tiranë, projekti për rijetëzimin e Stadiumit “Selman Stërmasi” përfshin struktura të ndryshme, mes tyre një strukturë shërbimi dhe hotelerie me deri në 23 kate, si dhe një strukturë për banim me deri në 25 kate. Elite Tower parashikon godina banimi dhe shërbimi me 16 dhe 24 kate, ndërsa Vertical Village përfshin objekte banimi dhe shërbimesh që arrijnë deri në 23 kate mbi tokë. Një tjetër projekt është Uzina Residence, me një rezidencë prej 16 katesh, ndërsa projekti Invest Society parashikon një godinë shërbimi dhe banimi me deri në 15 kate mbi tokë, të shoqëruar me katër nivele parkimi nëntokësor.
Projekte të tjera shumëkatëshe
Në Tiranë përfshihen gjithashtu Vertical Community, me ndërtesa që variojnë nga 12 deri në 18 kate, dhe Scarlet Tower, me struktura nga 12 deri në 15 kate. Projekti Elbavo parashikon godina për banim, shërbime dhe hoteleri me lartësi që shkojnë deri në 19 kate. Ndërkohë, një tjetër objekt për banim dhe shërbime parashikohet me godina që arrijnë në 16 kate.
Ndërtimet e larta shtrihen edhe në bregdet
Tirana nuk është e vetmja zonë ku po planifikohen ndërtime shumëkatëshe. Në Durrës është parashikuar një kompleks rezidencial dhe shërbimesh me godina që arrijnë deri në 20 dhe 21 kate mbi tokë. Në Vlorë, një projekt për godinë banimi dhe shërbimesh parashikon deri në 16 kate mbi tokë. Në zonën turistike të Spillesë, Rrogozhinë, projekti The Wave parashikon një apart-hotel me 15 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë. Ndërsa në Shëngjin të Lezhës, projekti Duna përfshin një godinë për shërbime dhe banim, me struktura që arrijnë deri në 15 kate mbi tokë, si dhe dy nivele nëntokësore. Edhe në Kamëz është parashikuar ndërtimi i godinave për banim dhe shërbime me 13 dhe 16 kate mbi tokë.
Një panoramë urbane që po ndryshon
Projektet e listuara tregojnë për një tendencë të zgjerimit të ndërtimeve vertikale, sidomos në Tiranë, por edhe në zonat bregdetare. Me struktura që kombinojnë banimin, hotelerinë dhe shërbimet, këto projekte synojnë të krijojnë komplekse multifunksionale me kapacitete të konsiderueshme. Nga kullat 15-katëshe në zonat turistike deri te strukturat mbi 40 kate në kryeqytet, ndërtesat e larta po bëhen gjithnjë e më të pranishme në zhvillimin urban të Shqipërisë, transmeton kjonë.










