Kryeministri Edi Rama ka pritur në Kryeministri Këshillin Studentor të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, pas vizitës së tij në auditorët e këtij fakulteti në Prishtinë.
Përmes një video-kartoline të publikuar në rrjetet sociale, Rama ka ndarë momente nga takimi me studentët, ndërsa ka përcjellë edhe disa mesazhe mbi politikën dhe rolin e saj në shoqëri.
“Të merresh me politikë do të thotë të shfrytëzosh një fuqi që të bën ty me probabilitet që të dëgjohesh. Politika është mundësia për të bërë bashkë gjëra që vetëm nuk i bën dot”, tha ai.
Një prej studentëve e falënderoi kryeministrin për iniciativën për hapjen e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar atë si një strukturë të nevojshme për shqiptarët që jetojnë në këtë zonë.
Duke iu referuar edhe debatit të krijuar rreth diskutimeve për një konsullatë të Serbisë në Shkodër, Rama e konsideroi të pakuptimtë që pala serbe të ketë një strukturë konsullore në një zonë ku, sipas tij, nuk ka komunitet të konsiderueshëm serb, ndërsa shqiptarët në Luginën e Preshevës përballen me nevojën për shërbime konsullore shqiptare.
“Të hapësh një konsullatë serbe ku nuk ka fare serb dhe të marrësh një konsullatë të Shqipërisë ku janë shqiptarët atje në pikë të hallit, kuptohet shumë mire se çfarë është kjo. Këta, jo se po na vijnë serbët të na marrin Shkodrën”, theksoi ai, transmeton rtsh.










