Qeveria parashikon rritjen e mbështetjes financiare për pensionistët përmes dy masave të reja në projektbuxhetin e vitit 2027. Indeksimi i pensioneve do të kryhet në muajin prill, ndërsa bonusi mujor pritet të dyfishohet nga 1 janari 2027.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur detajet e paketës financiare të dedikuar për pensionistët, në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2027. Përmes një deklarate publike në rrjetet sociale, Malaj njoftoi dy ndërhyrjet kryesore që synojnë rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e kushteve ekonomike për këtë kategori.
Sipas planit të prezantuar, indeksimi i pensioneve do të realizohet që në muajin prill, tre muaj më herët se kalendari i zakonshëm, kur ky proces zhvillohej në korrik ose tetor. Për zbatimin e kësaj mase është parashikuar një fond prej 1.35 miliardë lekësh.
Një tjetër ndryshim i parashikuar në paketën financiare është dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, duke nisur nga 1 janari 2027. Masa do të zbatohet sipas kategorive përkatëse përfituese, ndërsa efekti financiar për buxhetin e shtetit llogaritet në 20 miliardë lekë në vit, ose rreth 200 milionë euro.
Ministri Malaj bëri të ditur se këto ndërhyrje synojnë të sigurojnë mbështetje më të qëndrueshme dhe të parashikueshme për pensionistët, duke rritur përfitimet e tyre dhe duke përshpejtuar kohën e indeksimit.
Projektbuxheti i vitit 2027 pritet të diskutohet në komisionet parlamentare përpara miratimit përfundimtar. Detajet e zbatimit të masave do të përcaktohen në kuadër të procedurave përkatëse buxhetore.
Paketa e propozuar e vendos sektorin e pensioneve në fokus të politikave sociale për vitin e ardhshëm, me ndërhyrje që prekin si kohën e indeksimit, ashtu edhe mbështetjen financiare mujore për përfituesit, transmeton rtsh.










