BallinaEKSKLUZIVEEtika e karakterit në shoqërinë e imazhit

Etika e karakterit në shoqërinë e imazhit

-

Screenshot

Nga Dashnim Hebibi

Jetojmë në një kohë të çuditshme: e vërteta shpesh nuk shpërblehet, drejtësia nuk duartrokitet gjithmonë dhe njeriu i ndershëm mund të bëhet më i dyshimtë se ai që gënjen bukur. Në një shoqëri ku zhurma shpesh vlen më shumë se karakteri dhe imazhi më shumë se vepra, të bësh mirë është bërë, në njëfarë mënyre, edhe një akt guximi.

Ndoshta ky është paradoksi më i madh i kohës sonë: nuk është gjithmonë e vështirë të bësh të keqen; e vështirë është të bësh të mirën pa pritur shpërblim, duartrokitje apo mirënjohje. Asgjë nuk është më banale se padrejtësia dhe vuajtja kur ato shndërrohen në diçka të zakonshme. Tragjedia më e madhe nuk është vetëm se ekziston padrejtësia, por se njeriu mund të mësohet me të, ta pranojë dhe, në fund, të heshtë përballë saj. Në këtë kohë të zhurmës, ku shpesh vlera matet me duartrokitje, numër pëlqimesh dhe sa bukur di dikush të flasë për veten, mbetet një pyetje e thjeshtë: 

A është më e rëndësishme të dukesh i mirë apo të jesh i mirë?

Unë besoj se përgjigjja është e qartë. Më mirë të bësh mirë dhe të flasin për ty keq, sesa të bësh keq dhe të flasin për ty mirë. Sepse reputacioni është ajo që njerëzit thonë për ty; karakteri është ajo që ti bën kur askush nuk të sheh. Këtu qëndron edhe madhështia e mendimit të rilindësve tanë, te ajo frymë që e lidhte dijen me ndërgjegjen, lirinë me përgjegjësinë dhe të mirën me shërbimin ndaj tjetrit. Naum Veqilharxhi nuk e shihte përparimin thjesht si një çështje të shkronjave, por si një zgjim të mendjes dhe të ndërgjegjes njerëzore. Dhe sot, ndoshta më shumë se kurrë, kemi nevojë për këtë zgjim. Sepse një shoqëri nuk rrënohet vetëm nga njerëzit që bëjnë keq. Rrënohet edhe nga njerëzit e mirë që heshtin. Nga ata që e shohin padrejtësinë, por zgjedhin rehatinë. Nga ata që e dinë të vërtetën, por e ndryshojnë fjalën sipas interesit.

E keqja shpesh nuk fiton sepse është më e fortë; fiton sepse e mira lodhet së luftuari.

Prandaj, të bësh mirë nuk do të thotë të presësh gjithmonë mirënjohje. Ka raste kur e mira keqinterpretohet, sinqeriteti quhet dobësi, drejtësia quhet naivitet dhe heshtja e dinjitetshme interpretohet si frikë. Por koha ka një mënyrë të çuditshme për t’i vendosur gjërat në vendin e tyre. Fjala e keqe mund të të ndjekë për një ditë. Një shpifje mund të qarkullojë për një javë. Një padrejtësi mund të të lëndojë për vite. Por ajo që ke bërë me ndërgjegje mbetet.

Fjala është zhurmë; vepra është dëshmi.Lavdia është e përkohshme; karakteri është trashëgimi.Duartrokitja shuhet; ndërgjegjja mbetet.

Nuk duhet të jetojmë për t’u pëlqyer të gjithëve. Kush kërkon të pëlqehet nga të gjithë, herët a vonë, rrezikon të humbasë veten. Njeriu që ka një parim duhet të jetë i gatshëm edhe të mbetet vetëm përballë një turme, nëse ajo turmë ka zgjedhur padrejtësinë. Sepse ka një çmim për të bërë të drejtën. Ndonjëherë ai çmim është vetmia. Ndonjëherë keqkuptimi. Ndonjëherë humbja e miqve. Ndonjëherë edhe sulmi nga ata që përfitojnë nga heshtja jote. Por ka edhe një çmim tjetër, shumë më të shtrenjtë: të tradhtosh ndërgjegjen për të fituar duartrokitjen e njerëzve. Do të zgjidhja të parin. Më mirë të ecësh me kokën lart, edhe nëse pas teje flitet keq, sesa të ecësh mes duartrokitjeve duke e ditur se dikujt i ke bërë padrejtësi. Në fund të fundit, njeriu nuk lë pas vetes as paratë, as pushtetin, as zhurmën që ka krijuar. Lë mënyrën se si i ka trajtuar njerëzit. Lë fjalën që ka mbajtur. Dorën që ka zgjatur. Të vërtetën që ka mbrojtur. Dhe të mirën që ka bërë pa kërkuar dëshmitarë. Kjo është filozofia ime e thjeshtë: mos u shqetëso shumë se çfarë thonë për ty. Kujdesu më shumë për atë që je kur nuk të sheh askush. Sepse një ditë, kur zhurma të pushojë, kur lavdërimet të harrohen dhe kur koha t’i zhveshë të gjitha maskat, do të mbetet vetëm një pyetje:

A jetove sipas asaj që besoje, apo sipas asaj që të duartrokiti turma?

Për mua, përgjigjja është e qartë: Më mirë një e vërtetë që më lëndon, sesa një gënjeshtër që më lavdëron.
Më mirë një vepër e mirë që keqkuptohet, sesa një e keqe që duartrokitet.
Më mirë të mbetem njeri, sesa të bëhem i famshëm duke humbur njerëzoren.

Foto ilustrim nga Adi Hebibi

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

KOSOVA KA SHUMË PERSONALITETE PËR PRESIDENT, POR NJËRI ËSHTË I PAPËRSËRITSHËM:...

0
Një diplomat karriere. Një atdhetar i dëshmuar. Një emër që nuk ka nevojë të ndërtohet me fjalë, sepse është ndërtuar me vite pune, përvoje...