POSTIMET E FUNDIT

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në Kosovë: Përfaqësim i Vërtetë, Jo Përdorim Politik

Nga PhD Dashnim Hebibi, Cyrih

Autori është President i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore në Zvicër

Ndërsa afrohet data 7 qershor, në opinionin publik shtrohet natyrshëm pyetja nëse skena politike shqiptare do të sjellë zhvillime të reja dhe përmbajtësore apo nëse do të jemi dëshmitarë të një riciklimi të praktikave të deritanishme politike, ku ndryshojnë individët dhe pozicionet, por jo domosdoshmërisht filozofia e qeverisjes dhe qasja ndaj çështjeve kombëtare. Përgjigjja përfundimtare do të bëhet më e qartë në javët në vijim, por diskutimi mbi këtë temë është i domosdoshëm që tani. Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë meriton çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, respektivisht e asaj që në diskursin historik dhe kombëtar shqiptar njihet edhe si Kosova Lindore. Kjo hapësirë shqiptare, e përbërë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, vazhdon të mbetet një nga çështjet më pak të trajtuara në mënyrë sistematike nga institucionet shqiptare dhe ato të Kosovës, pavarësisht rëndësisë së saj strategjike, historike dhe kombëtare. Gjatë katër dekadave të fundit, Kosova Lindore është përballur me procese të vazhdueshme të shpërnguljes së popullsisë, diskriminimit institucional dhe margjinalizimit politik. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare është detyruar të largohet drejt vendeve të Evropës Perëndimore ose të vendoset në Kosovë. Këto lëvizje demografike nuk kanë qenë thjesht rezultat i faktorëve ekonomikë, por edhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave shtetërore që kanë ndikuar në pasigurinë sociale, politike dhe ekzistenciale të shqiptarëve në atë rajon.

Edhe pas përfundimit të luftës në ato treva me emrin e UÇPMB-së, shumë ish-pjesëtarë, aktivistë dhe qytetarë të zakonshëm vazhdojnë të përballen me pengesa për t’u rikthyer dhe për të jetuar normalisht në vendlindjet e tyre. Kjo situatë ka krijuar një gjendje të vazhdueshme pasigurie, e cila ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të rajonit. Në periudha të ndryshme, individë me prejardhje nga Lugina e Preshevës kanë qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe kanë mbajtur pozita të rëndësishme publike. Ky është një zhvillim pozitiv dhe dëshmi e integrimit të tyre në jetën institucionale të Kosovës. Megjithatë, duhet bërë dallimi ndërmjet përfaqësimit individual dhe përfaqësimit autentik politik të një komuniteti të tërë. 

Pjesëmarrja e individëve me origjinë nga Lugina në institucionet e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet automatikisht si përfaqësim i drejtpërdrejtë i interesave politike të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Përfaqësimi legjitim kërkon mandat të qartë politik dhe lidhje të drejtpërdrejtë me komunitetin që pretendohet se përfaqësohet. 

Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i emrit të Luginës së Preshevës për qëllime të marketingut politik, për kalkulime elektorale apo për promovim personal duhet të shmanget. Çështja e Kosovës Lindore është tepër serioze për t’u reduktuar në simbolikë politike apo në instrument të debatit ditor partiak. Nga perspektiva e teorisë së përfaqësimit politik, shqiptarët e Kosovës Lindore mbeten një komunitet me interes të veçantë kombëtar, i cili meriton trajtim institucional të veçantë.

Në këtë kuptim, do të ishte e arsyeshme që Republika e Kosovës të shqyrtojë mekanizma kushtetues dhe ligjorë që mundësojnë përfaqësim të garantuar parlamentar për shqiptarët e kësaj treve. Një model i tillë nuk do të përbënte precedent të pazakontë në demokracitë moderne, përkundrazi do të ishte reflektim i përgjegjësisë shtetërore ndaj një pjese të kombit që historikisht ka mbetur jashtë kufijve administrativë të Kosovës. Kjo kërkesë mbështetet edhe në legjitimitetin historik të Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, në të cilin qytetarët shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës shprehën vullnetin e tyre politik për vetëvendosje dhe për lidhje institucionale me Kosovën.

Pavarësisht zhvillimeve politike që pasuan, ky referendum mbetet një dokument me peshë të rëndësishme historike dhe politike në artikulimin e aspiratave kolektive të shqiptarëve të asaj ane. Një problem shtesë mbetet fakti se shumë qytetarë shqiptarë që jetojnë në këto komuna nuk ndihen të lirë të identifikohen publikisht me subjekte politike të Kosovës apo të shprehin hapur bindjet e tyre kombëtare. Kjo gjendje krijon kufizime serioze në ushtrimin e të drejtave politike dhe demokratike, duke e bërë edhe më të domosdoshëm angazhimin institucional të Kosovës dhe të faktorit shqiptar në përgjithësi. Sot, Kosova Lindore përballet me sfida të shumanshme: rënie demografike, migrim të vazhdueshëm, mungesë investimesh, diskriminim në administratë, sfida në arsim dhe kulturë, si dhe me një ndjenjë të përgjithshme të braktisjes politike. Përballë këtyre realiteteve, kërkesat e qytetarëve të saj nuk janë privilegje, por kërkesa legjitime për barazi, dinjitet dhe perspektivë. Ku është shtetësia? Për këtë arsye, debati mbi përfaqësimin e shqiptarëve të Kosovës Lindore duhet të zhvendoset nga niveli simbolik në atë institucional. Nuk mjafton që emri i Luginës së Preshevës të përmendet në fjalime politike; nevojiten politika konkrete, strategji afatgjata dhe mekanizma të matshëm mbështetjeje.

Në fund, çdo analizë serioze mbi këtë çështje duhet të ndërtohet mbi parimin e objektivitetit dhe interesit publik. Qëndrimet e shprehura këtu nuk burojnë nga interesa personale, partiake apo karrieriste. Ato mbështeten në një vlerësim profesional, politik dhe akademik të realitetit me të cilin përballen shqiptarët e Kosovës Lindore.

E vërteta shpesh nuk është ajo që dëshirojnë të dëgjojnë aktorët politikë, por ajo që kërkon përgjegjësia intelektuale dhe morale përballë historisë dhe interesit kombëtar.

Prandaj, intelektualët, studiuesit, aktivistët dhe përfaqësuesit institucionalë të kësaj treve duhet të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të pavarur, kritike dhe të përgjegjshme, duke ruajtur pluralizmin e mendimit, por duke mbetur të bashkuar në mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe të ardhmes së shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB