Prishtinë – Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e cila lidhet me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas Policisë, njësi të ndryshme policore do të jenë të angazhuara para, gjatë dhe pas protestës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe garantimit të mbarëvajtjes së tubimit. Policia ka theksuar se e drejta e qytetarëve për tubime dhe protesta të qeta është e garantuar me Ligjin për Tubimet Publike. Institucioni u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë demokratike dhe brenda suazave ligjore.
Mund të ketë kufizime në qarkullim
Për shkak të nevojave operative dhe zhvillimeve në terren, Policia ka paralajmëruar se mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth zonës ku do të zhvillohet protesta.
Për menaxhimin e trafikut janë planifikuar njësi të posaçme, të cilat do të bëjnë riorientimin e qarkullimit drejt rrugëve alternative.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kenë parasysh ndryshimet e mundshme në qarkullim dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
20 policë të lënduar në protestën e mbrëmshme
Në njoftimin e saj, Policia i është referuar edhe zhvillimeve gjatë protestës së mbrëmshme, ku, sipas saj, disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë. Sipas Policisë, për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, janë përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topi i ujit për shpërndarjen e turmës. Nga incidentet e raportuara, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithashtu 12 qytetarë ose protestues dhe një gazetar.
Tre persona të arrestuar
Sipas raporteve zyrtare të Policisë, për mosrespektim të thirrjeve për qetësi dhe shkelje të ligjit janë arrestuar tre persona. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa personi i tretë është liruar dhe ndaj tij procedura do të vazhdojë në gjendje të lirë. Policia ka deklaruar se pas çdo operacioni kryen vlerësime pasoperacionale të veprimeve të ndërmarra në terren. Nëse gjatë këtyre vlerësimeve evidentohen dyshime për tejkalim të autorizimeve policore, rasti i përcillet Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Apel për protestë paqësore
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke respektuar ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë. Në menaxhimin e situatës së mbrëmshme, sipas Policisë, kanë kontribuar edhe ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe institucionet e tjera emergjente. Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë i pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë publike, sigurinë e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e protestës. Autoritetet kanë përsëritur apelin që qytetarët të shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore, ndërsa çdo veprim që cenon sigurinë e qytetarëve, policëve apo institucioneve të trajtohet në përputhje me ligjin, transmeton rtk.










