Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka arritur rezultat të lartë në “Garën për Luftëtarin më të Mirë”, aktivitet i organizuar me ftesë të Gardës Kombëtare të Ajovës.
Në mesin e pjesëmarrësve nga FSK-ja ishte edhe OR3 Ismail Ahmeti, i cili arriti të sigurojë vendin e dytë në këtë garë, duke u renditur mes finalistëve dhe duke përfaqësuar FSK-në gjatë aktivitetit.
Gara, e cila zgjati katër ditë, vuri në provë pjesëmarrësit në disa fusha, përfshirë përgatitjen fizike dhe mendore, aftësitë ushtarake, qëndrueshmërinë dhe reagimin në situata të ndryshme të karakterit ushtarak.
Pjesëmarrja e tre pjesëtarëve të FSK-së në këtë aktivitet u cilësua si një mundësi për testimin e aftësive profesionale dhe shkëmbimin e përvojave me pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës.
Sipas njoftimit, aktiviteti kontribuoi gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Rezultati i arritur nga OR3 Ismail Ahmeti, me vendin e dytë në mesin e finalistëve, përbën një tjetër paraqitje të pjesëtarëve të FSK-së në aktivitetet ndërkombëtare ushtarake, transmeton Forca e Sigurisë së Kosovës, përcjell helveticALforum.ch.









