Përplasjet brenda Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) po thellohen. Pas kritikave të aktivistëve të Aleancës për Shqiptarët (ASH) ndaj mënyrës së funksionimit të frontit opozitar dhe kërkesave për rishikimin e pozicionit të partisë brenda tij, në skenë dalin edhe pakënaqësitë brenda BDI-së. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, në faqen ‘Aleanca Kombëtare për Integrim’ në Facebook, është kërkuar dorëheqja e Faton Ahmetit, Bujar Osmanit dhe Arbër Ademit, duke i bërë përgjegjës për humbjet dhe dështimet politike.
“Secili fajtor për humbjet dhe dështimet duhet të mbajë PËRGJEGJËSI!”, thuhet në reagimin e publikuar në faqen e cila mbështet politikat e AKI-së.
Kjo kërkesë vjen një ditë pas reagimit të Liridon Ramadanit, aktivist i afërt me Arben Taravarin, i cili kërkoi që ASH-ja të rishikojë pozicionin e saj brenda AKI-së, duke kundërshtuar barazimin e rolit të saj me atë të subjekteve të tjera”. Ramadani kishte theksuar se ASH-ja nuk është zgjatim i BDI-së dhe se partneriteti brenda AKI-së duhet të funksionojë mbi baza të barabarta.
Ai ka rikujtuar se Arben Taravari ishte ai që la postin qeveritar dhe kaloi në opozitë për të krijuar një front të përbashkët opozitar, ndërsa sipas tij, ASH-ja ka marrë edhe goditjet më të mëdha si pasojë e këtij vendimi.
Ramadani ka kundërshtuar edhe barazimin e rolit të Taravarit me atë të Zejdi Rexhepit, duke kritikuar mënyrën e përfaqësimit të AKI-së në tubime dhe debate televizive.
“Nuk mundesh në çdo tubim ta relativizosh rolin e Arben Taravarit me Zejdi Rexhepin. Nuk mundesh me e keqpërdorë modestinë dhe mirëkuptimin e Taravarit për t’i relativizu pozitat e ASH-së brenda AKI-së”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka kërkuar që brenda AKI-së të vendosen rregulla të qarta për partneritetin, përfaqësimin dhe vendimmarrjen, duke theksuar se koalicioni përbëhet nga dy parti të mëdha, BDI dhe ASH, krahas partive të tjera.
Në fund, Ramadani ka paralajmëruar se ASH-ja duhet ta rivlerësojë seriozisht qëndrimin e saj nëse nuk sigurohet një partneritet i barabartë.
“Partneritet po, nënshtrim jo!”, përfundon reagimi i tij,trannsmeton opentv.










