Temperaturat e ngrohta dhe deti i pastër po tërheqin ende pushues nga vende të ndryshme të botës, ndërsa sezoni turistik vijon edhe në ditët e fundit të shtatorit.
SARANDË – Edhe në fund të shtatorit, plazhet e Sarandës vijojnë të jenë të mbushura me pushues të huaj. Temperaturat e favorshme, deti i pastër dhe atmosfera e gjallë turistike kanë bërë që vizitorë nga vende të ndryshme të zgjedhin qytetin bregdetar për të kaluar ditët e fundit të pushimeve.
Për shumë prej tyre, kjo është vizita e parë në Sarandë, ndërsa përshtypjet e para janë pozitive.
“Është hera jonë e parë në Sarandë dhe jemi shumë të impresionuar. Plazhet janë të bukura, uji është i pastër dhe atmosfera është shumë e gjallë. Po e shijojmë shumë këtë eksperiencë dhe jemi të lumtur që zgjodhëm këtë destinacion për pushimet tona”, tha një turiste.
Edhe turistë të tjerë vlerësojnë bukuritë natyrore, mikpritjen dhe atmosferën që ofron qyteti.
“Ne kemi ardhur nga jashtë vendit dhe Saranda na ka surprizuar pozitivisht. Nuk e prisnim që të ishte kaq e bukur dhe kaq e organizuar. Deti është fantastik dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Patjetër që do të donim të ktheheshim përsëri”, u shpreh një tjetër pushuese.
Për ata që e kanë vizituar më herët Sarandën, rikthimi në qytetin bregdetar mbetet një zgjedhje e preferuar.
“Unë kam qenë edhe më parë në Sarandë, por çdo herë më duket më e bukur. Plazhet janë plot dhe moti është perfekt. Është një vend ku gjithmonë ndihesh mirë dhe relaksohesh”, tha një tjetër turist.
Krahas plazheve dhe detit, vizitorët vlerësojnë edhe gastronominë dhe atmosferën e qytetit.
“Po kalojmë disa ditë pushimi këtu dhe gjithçka është shumë bukur. Na pëlqen shumë deti, ushqimi dhe atmosfera në qytet. Saranda është një destinacion ideal për pushime dhe po e shijojmë maksimalisht qëndrimin këtu”, u shpreh një tjetër pushues.
Prania e turistëve të huaj në fund të shtatorit i jep vijës bregdetare të Sarandës një tjetër ritëm, duke mbajtur gjallë aktivitetin turistik edhe përtej muajve tradicionalë të sezonit veror.
Me klimën e favorshme, plazhet dhe ofertën turistike, Saranda vijon të tërheqë vizitorë edhe në fillim të vjeshtës, ndërsa pushuesit shprehen se do ta rikthejnë në listën e destinacioneve për pushimet e ardhshme/B. Gjyli, transmeton rtsh.









