
Autor: Jeton ARIFI, Prishtinë
Veprimtaria e karakterit atdhetar e individëve, organizatave politike dhe institucioneve shtetërore të Shqipërisë, veçanërisht ajo e përfaqësive diplomatike përgjatë viteve të nëntëdhjeta ka qenë e rëndësisë së veçantë në kuptim të ndërgjegjësimit të qendrave të vendosjes rreth çështjes së Kosovës. Veçoritë e zhvillimeve politike ndërkombëtare gjatë viteve të ’80 të shekullit të njëzetë kanë pasqyruar dhe paracaktuar edhe dinamikën e zhvillimeve brenda territoreve shqiptare, veçanërisht në Kosovë, ndaj të cilës, edhe ushtrimi i ndikimit, edhepse pamohueshëm pozitiv i Shqipërisë, domosdoshëm ka qenë më i pakët, në krahasim me dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar.
Rrethanat e krijuara në Kosovë që nga demonstratat e vitit 1981 nuk morën jehonën e merituar në qarqet vendimmarrëse botërore, të cilat mbanin qëndrim që favorizonte Jugosllavinë, duke e cilësuar çështjen e shqiptarëve të Kosovës si problem të brendshëm të Federatës Jugosllave. Shqipëria, duke mbajtur orientimin e rreshtimit politik kah hemisfera lindore, përmes përfaqësive të veta diplomatike në botë, nuk ishte në pozitë të favorshme për të ngritur zërin në skenën politike ndërkombëtare për ta ndryshuar opinionin publik ndërkombëtar të shtrembëruar qëllimshëm nga propaganda serbe lidhur me gjendjen reale diskriminuese të popullit shqiptar në vendet e Jugosllavisë.
Në vitin 1991, Qeveria e Republikës së Shqipërisë ende nuk e kishte njohur Republikën e Kosovës, të shpallur njëanshëm në Kaçanik. Lidhur me këtë qëndrim, Partia ‘Lidhja Popullore Shqiptare’, përmes një shkrese të 14 shtatorit 1991, i bënte thirrje shtetit shqiptar që ta njihte zyrtarisht Republikën e Kosovës dhe që përmes Kombeve të Bashkuara të ushtronte ndikim te shtetet tjera anëtare për njohjen e Republikës së Kosovës.
Dokumentet arkivore dëshmojnë se Shqipëria ka mbështetur fuqishëm çdo zgjidhje që kërkohej nga vet shqiptarët në Jugosllavi, duke përfshirë, jo vetëm shqiptarët autoktonë të Kosovës, por edhe ata të Maqedonisë, Malit të Zi e të Serbisë. Shteti amë ka përkrahur kërkesën e shqiptarëve, të lancuar në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të njëzetë, për të marrë pjesë në bisedimet për të ardhmen e Jugosllavisë, shpalljen e Republikës së Kosovës dhe të drejtën e tyre për status të barabartë me popujt e tjerë brenda Jugosllavisë, nëse e njëjta do ti mbijetonte shpërbërjes së nisur. Në rast të shpërbërjes së pritur, Shqipëria kishte kristalizuar qëndrimin e saj për njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të. Madje, njohjen e pavarësisë së Sllovenisë e Kroacisë, Shqipëria e kishte konsideruar ta kushtëzonte me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga këto dy shtete të shpallura pas pavarësimit të tyre nga Jugosllavia. Republika e Shqipërisë e kishte shqyrtuar edhe mundësinë e shfrytëzimit të statusit të saj, si subjekt solid i marrëdhënieve ndërkombëtare, që të kërkonte nga qeveritë e vendeve anëtare të KSBE (Konferencës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë/paraardhëse e OSBE-së) dhe organizata të tjera ndërkombëtare, që të angazhoheshin pozitivisht për një zgjidhje paqësore të çështjes kombëtare shqiptare.
Në kuadër të këtij qëndrimi, Shqipëria parashihte këmbënguljen te fuqitë e mëdha që të organizohej një konferencë ndërkombëtare për Jugosllavinë, dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në vatrat e krizës brenda Jugosllavisë, duke përfshirë edhe Kosovën, e në rast eskalimi të situatës së sigurisë, të dërgoheshin trupa ushtarake ndërkombëtare paqeruajtëse. Kjo kërkesë ishte artikuluar para faktorit ndërkombëtar, duke parashikuar një konfrontim të mundshëm të armatosur midis shqiptarëve të Kosovës dhe aparatit policor e ushtarak të Serbisë të instaluar në Kosovë, ndaj të cilit, Shqipëria nuk do të mund të rrinte duarkryq dhe domosdoshmërisht do të mund të përfshihej në luftë për ta ruajtur nukleusin kombëtar shqiptar brenda territorit të Kosovës. Megjithkëtë, shteti shqiptar ia dinte rëndësinë përkushtimit paqësor të realizimit të të drejtës së shqiptarëve jashtë kufinjve të saj administrativë për vetëvendosje, andaj dhe përfshirjen e saj në një konflikt të mundshëm të armatosur e shihte si opsion të skajshëm dhe të realizueshëm vetëm në rrethana kur nuk do të kishte mbetur më asnjë opsion paqësor drejt jetësimit të idealit kombëtar.
Përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit të njëzetë, Shqipëria, falë tranzicionit politik në zhvillim dhe krijimit të rrethanave të reja politike, ka luajtur rol vendimtar, përmes qëndrimit diplomatik në raport me shtetet kryesore të Evropës, ShBA-së dhe organizatave ndërkombëtare, që problemi i shqiptarëve të Kosovës të gjente dyert e duhura për të trokitur.
Element i rëndësishëm i lidhjes së hershme të celulave atdhetare të shqiptarëve të Kosovës të emigruar kryesisht nëpër vendet e Evropës Qendrore, me zyrtarë të përfaqësive diplomatike e konsullore të Republikës së Shqipërisë në këto shtete, ka shënjuar fillimin e mbështetjes praktike të lëvizjeve për çlirim, të cilat, ndërkohë u materializuan me përkrahje shumëdimensionale nga shteti shqiptar. Pavarësisht brishtësisë së situatës politike dhe trazirave të brendshme, të nxitura nga agjenci të huaja të zbulimit nga shtete që historikisht nuk e kanë dashur një Shqipëri stabile, përkrah diplomacisë, mekanizmat e sigurisë së Shqipërisë, përfshirë këtu shërbimin e zbulimit, ushtrinë, dhe jo vetëm, gjatë viteve të fundit të viteve të ’90-ta, dëshmuan bindshëm se kombi duhej të qëndronte si një organizëm i vetëm dhe i palëkundur për të ruajtur interesin kombëtar. Kufinjtë kombëtarë realë të Shqipërisë, të cenuar nga Serbia me aleatët e saj sllavë, kësaj radhe po mbroheshin brenda kufinjve administrativë të Kosovës, e cila, pasi kishte shtjerrë të gjitha rrugët paqësore ndër dekada, u detyrua të mobilizohej për rezistencë të armatosur, në kuadër të së cilës, diplomacia shqiptare në raport me qendrat e vendosjes, luajti rolin e pamohueshëm.
Speciale për helveticALForum.ch




