BallinaDiasporaHoxha në Procesin e Berlinit: Zgjerimi i BE-së është investim strategjik për sigurinë e Evropës

Hoxha në Procesin e Berlinit: Zgjerimi i BE-së është investim strategjik për sigurinë e Evropës

-

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, të zhvilluar në Pržno të Malit të Zi, ku në fokus kanë qenë siguria, bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim, Hoxha ka rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë për një Ballkan Perëndimor më të sigurt, më konkurrues dhe më të ndërlidhur, duke theksuar se siguria e rajonit është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e vetë Evropës.

Hoxha: Siguria e Ballkanit dhe e Evropës janë të pandashme

Në fjalën e tij, ministri Hoxha ka vlerësuar se zhvillimet e fundit gjeopolitike kërkojnë më shumë bashkëpunim dhe unitet ndërmjet vendeve evropiane dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

“Në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik, përgjigjja ndaj sfidave tona të përbashkëta qëndron te bashkëpunimi më i fortë, uniteti më i madh dhe një Evropë më e qëndrueshme dhe më e aftë për t’u përballur me sfidat”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas tij, në këtë kontekst, zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një prej instrumenteve kryesore për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në kontinent.

Ai ka theksuar se zgjerimi nuk duhet parë si favor apo shpërblim për vendet kandidate, por si një proces i bazuar në merita dhe në zbatimin e reformave konkrete.

“Për ne, kjo ka një emër: zgjerimi. Jo si një favor apo shpërblim, por si një proces i bazuar në merita dhe i mbështetur në reforma kuptimplota e me ndikim”, është shprehur ministri shqiptar.

Procesi i Berlinit dhe rezultatet konkrete

Hoxha ka rikujtuar gjithashtu rëndësinë e Procesit të Berlinit për afrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, integrimi evropian nuk fillon vetëm në momentin e anëtarësimit në BE, por ndërtohet përmes bashkëpunimit praktik dhe rezultateve konkrete brenda rajonit.

Ai ka veçuar lëvizshmërinë e qytetarëve, kontaktet mes njerëzve, njohjen e ndërsjellë të diplomave, ndërlidhjen infrastrukturore dhe Tregun e Përbashkët Rajonal si disa prej mekanizmave që kontribuojnë në këtë proces.

“Integrimi evropian fillon në shtëpi, shumë përpara anëtarësimit”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se procesi duhet të përkthehet në rezultate që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal dhe arritjet konkrete jo vetëm që forcojnë lidhjet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por i afrojnë shoqëritë e rajonit me standardet dhe tregun e Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit vjen në kuadër të angazhimit të Tiranës për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbyllet dita e 124 e protestës: Poshtë narkoshteti!

0
Ka përfunduar protesta e 124-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, e zhvilluar këtë të enjte në Tiranë. Në përfundim të tubimit, protestuesit kanë...